Seanca e shqyrtimit fillestar e së hënës në rastin ndaj gjashtë të akuzuarve për ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së avokatit Mahmut Halimi, i cili mbron njërin nga të akuzuarit.
Gjyqtari Rrahman Beqiri bëri të ditur se avokati Halimi e kishte arsyetuar mungesën e tij.
Po ashtu, gjyqtari njoftoi se gjykata nuk ka arritur ta sigurojë praninë e të akuzuarit Nenad Orloviç, ndonëse ishte lëshuar urdhër për sjelljen e tij me detyrim.
Gjyqtari ka deklaruar se sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, bazuar në komunikimet me fqinjët, Orloviç dyshohet se është shpërngulur në Serbi.
Prokuroria Speciale të Kosovës kishe ngritur aktakuzë ndaj D.M., D.D., M.R., N.J., N.O., dhe S.V., të cilët nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor në komunat veriore të Kosovës, “duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”.
Ndaj 11 personave të tjerë të identifikuar me iniciale M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, “pasi ata deri më tani janë të paarritshëm” për organet e drejtësisë së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se, duke vepruar në bashkëkryerje, kanë bllokuar rrugët kryesore me kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera, me qëllim të pengimit të institucioneve të Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe rivendosjen e rendit kushtetues.
Prokuroria gjithashtu pretendon se grupi kishte qenë i gatshëm t’i sulmonte zyrtarët policorë në rast të ndërhyrjes për largimin e barrikadave.
Të gjashtë të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.