Këta kamionë të mbushur me zhavorr për 19 ditë qëndruan në veri të Kosovës, me qëllim bllokimin e qarkullimit në këtë pjesë në dhjetor të 2022.
Për këto veprime, tashmë në gjykatore do të ballafaqohen 6 të akuzuar. Seanca fillestare e paraparë të mbahej këtë të hënë, dështoi në mungesë të të akuzuarit Nenad Orlloviq që ka vendosur të shpërngulet në Serbi.
Rrahman Beqiri – Kryetar i trupit gjykues tha se “Duke qenë se ka ndërruar adresën gjykata për të njëjtin ka lëshuar menjëherë urdhërese për sjellje me detyrim, ku policia e Kosovës më 16.07.2026 e ka njoftuar gjykatën se kanë shkuar ta ekzekutojnë urdhëresën mirëpo banesa është e mbyllur ndërsa nga kontakti me fqinjët e tij policia është njoftuar se ky person është shpërngul për në Serbi.”
Po në këtë seancë i pranishëm nuk ishte as avokati Mahmut Halimi që mbron njërin nga serbët e akuzuar, e i cili kishte arsyetuar mungesën tek gjyqtari.
“Me arsyetimin se në të njëjtën kohë e ka të caktuar një seancë në Mitrovicë, rast ky me masë të paraburgimit dhe rast ky i caktuar shumë kohë më përpara”, deklaroi Rrahman Beqiri – Kryetar i trupit gjykues
Për të akuzuarin Nenad Orlloviq prokurori special kërkoi të veçohet procedura.
Admir Shala – Prokuror në Prokurorinë Speciale tha se “Për shkak të ekonomizimit të procedurës duhet veçuar procedura ndaj tij.”
Por, gjyqtari Beqiri bëri të ditur se do të lëshohet edhe një urdhër për sjellje me detyrim, dhe nëse rezulton e pasuksesshme atëherë do të vendoset se si të veprohet tutje.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Drobac, Srdjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.
Në këtë rast, hetimet PSRK-ja i pushoi për Milan Radoijçiqin dhe 10 persona tjerë me arsyetimin se “ata deri më tani janë të paarritshëm” për organet e drejtësisë së Kosovës.