Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka dështuar sërish të zgjedhë kryesuesin e ri, për shkak të mungesës së kuorumit.
Në mbledhjen e mbajtur të martën, e cila ishte e 365-ta me radhë, nuk u sigurua pjesëmarrja e nevojshme e anëtarëve për të proceduar me votimin.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, i cili është edhe njëri prej kandidatëve për kryesues, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e kuorumit.
Ai ka theksuar se të gjithë anëtarët kanl përgjegjësi për këtë situatë, duke shtuar se nuk është thelbësore nëse zgjedhet apo jo kryesuesi, por se zhvillimet e fundit nuk kanë qenë të zakonshme në të kaluarën.
“Është detyrë e jona që ne, si anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të promovojmë dhe forcojmë pavarësinë e sistemit tonë, si dhe të pengojmë çdo sjellje që anëtarët e Këshillit mund të kenë. Dua të them se unë personalisht s’do të jem palë me askënd në këmbim të përpjekjeve. Gjendja në të cilën gjendet KGJK nuk është e zakonshme dhe nuk duhet të sillemi se nuk po ndodhë asgjë. Kërkoj nga zv. Kryesues në kuadër të autorizimeve ligjore ta caktonu takimin e radhës sot”, ka deklaruar ai.
Në garë për kryesues të KGJK-së është edhe Besnik Bislimaj.
Anëtarët e KGJK-së kanë thënë se gjyqtari Fahret Vellija, i cili mungoi në mbledhjen e sotme, duhet të paraqesë dëshmi për mungesën e tij për arsye shëndetësore.
Disa prej anëtarëve kanë kërkuar që mbledhja e ardhshme të caktohet për nesër, por kjo nuk ka gjetur mbështetje nga anëtarët e tjerë, të cilët kanë vlerësuar se një gjë e tillë nuk do të kishte efekt nëse ai mungon sërish.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026.
Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni. Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Sipas Rregullores mbi Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në pikën 6 përcaktohet se “Pozita e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit duhet të plotësohet brenda tridhjetë (30) ditëve, prej ditës që këto pozita mbeten të lira“.