Asnjë nga kandidatët nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, edhe pas raundit të katërt të votimit në Kuvendin e Kosovës.
Në procesin e votimit në raunin e katërt morën pjesë 115 deputetë, ndërsa katër fletëvotime rezultuan të pavlefshme.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë numrin e nevojshëm të votave për t’u propozuar për këtë pozitë.
Ajo bëri me dije se procesi do të përsëritet, duke kërkuar nga komisioni përkatës që të hapë një thirrje të re publike për propozimin e dy gjyqtarëve të rinj.
Sipas rezultateve të votimit, Jorida Xhafaj mori 62 vota, Emine Avdyli Pozhari mori 60 vota dhe Flamur Mrasori mori 51 vota.
Pas përfundimit të votimit, seanca u mbyll, ndërsa procesi për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese mbetet i hapur deri në një konkurs të ri./RTK