Dhjetë kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pas përfundimit me sukses të programit akademik dhe ushtarak për përgatitjen e oficerëve.
Sipas njoftimit të FSK-së, ky program është realizuar në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të arritur mes Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
“Kursi Përgatitor për Oficer filloi në tetor të vitit 2025, ku morën pjesë dhjetë kandidatë nga Forca e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Kadetët e FSK-së diplomuan në ceremoninë solemne të gjeneratës 2026 të Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e cila u zhvillua në prani të kryeministrit të Shqipërisë dhe drejtuesve të institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë nga të dyja vendet.
“Kjo arritje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit ushtarak dhe zhvillimit profesional të udhëheqësve të rinj”, ka bërë të ditur FSK-ja.
Sipas njoftimit, oficerët e rinj kanë përfunduar me sukses programin akademik dhe ushtarak, duke fituar njohuri të avancuara në fushën e udhëheqjes, planifikimit operacional, vendimmarrjes dhe menaxhimit ushtarak, në përputhje me standardet e NATO-s.
“Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të personelit të saj, me synim ngritjen e kapaciteteve operative dhe forcimin e ndërveprueshmërisë me forcat partnere dhe aleate”, thuhet në komunikatën e FSK-së.