Dhoma e Tregtisë kundër vendimit për zgjatjen e afatit të KEK-ut si Furnizues i Fundit: Përpjekje për të fshehur dështimet e tregut të lirë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK), ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka caktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhën 31 gusht 2025 deri më 31 janar 2026. Sipas tyre, ky vendim është një përpjekje […]
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK), ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka caktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhën 31 gusht 2025 deri më 31 janar 2026.
Sipas tyre, ky vendim është një përpjekje për të fshehur dështimet që kanë rezultuar nga “vendimi arbitrar dhe i papërgatitur për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike”, një proces që, sipas tyre, është nisur në mënyrë të ngutshme dhe pa analizë gjithëpërfshirëse.
“Që në fillim, DhTIK ka paralajmëruar se mënyra si është nisur ky proces do të sjellë dëme serioze për bizneset, për punëtorët dhe për qytetarët, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e sektorit privat dhe vendet e punës. Tashmë pasojat negative po i shohim – bizneset po mbyllen, punëtorët po mbesin rrugëve, investimet e planifikuara po anulohen”, thuhet në reagimin e DhTIK.
Nga ana e tyre kërkohet që liberalizimi i tregut të shtyhet për të paktën një vit, për t’i dhënë kohë institucioneve dhe palëve të interesit që të përgatiten seriozisht në aspektin teknik, ekonomik dhe ligjor.
Në reagimin e saj, DhTIK përmend edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian, i cili ka theksuar nevojën për një qasje të kujdesshme dhe me faza, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur financiarisht këtë tranzicion.















