DHSK reagon pas anulimit të konferencës së Trendafilovës
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), kanë reaguar pas anulimit të konferencës për shtyp të planifikuar për sot në Prishtinë, duke thënë se ky vendim është marrë për arsye sigurie dhe pas këshillimit nga Policia e Kosovës. Në një deklaratë për media, DHSK-ja ka shprehur keqardhje për anulimin e detyruar, që sipas tyre kishte për […]
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), kanë reaguar pas anulimit të konferencës për shtyp të planifikuar për sot në Prishtinë, duke thënë se ky vendim është marrë për arsye sigurie dhe pas këshillimit nga Policia e Kosovës.
Në një deklaratë për media, DHSK-ja ka shprehur keqardhje për anulimin e detyruar, që sipas tyre kishte për qëllim informimin e drejtë dhe transparent të publikut dhe gazetarëve lidhur me proceset gjyqësore në Hagë.
“Duke mbajtur parasysh se gjykimet mbahen jashtë Kosovës, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë synim të mbajnë vazhdimisht të informuar publikun në Kosovë lidhur me proceset gjyqësore në Hagë, për informacion të përditësuar, objektiv dhe transparent. Ky ishte qëllimi i vizitës së Kryetare Trendafilovës në Kosovë këtë javë dhe gjithashtu i takimeve me gazetarët në Kosovë si takimi që ishte planifikuar sot, ku mediat mund të bëjnë pyetje dhe dëgjojnë përgjigje nga gjykata”, thuhet në reagim.
Sipas DHSK-së, mbajtja e konferencës u pamundësua për shkak të protestave të veteranëve dhe të tjerëve, ku u hodhën bomba tymuese, të cilat u vlerësuan si përpjekje për të penguar ngjarjen.
“Duke njohur të drejtën demokratike për protestë paqësore, DHSK-ja shpreh keqardhjen që në situatën e sotme gazetarët u penguan që t’i bënin pyetje vetë Kryetares së Gjykatës,” thuhet tutje.
DHSK-ja thekson se do të vazhdojë të mbetet e angazhuar për transparencë dhe informim të publikut në Kosovë lidhur me zhvillimet gjyqësore që mbahen në Hagë.















