Dhuna në veri, Sveçla: Secili që ka qenë pjesë e sulmeve do të sillet para drejtësisë

Ministri Sveçla ka reaguar me një postim në llogarinë e tij në Facebook pas arrestimit të një serbi që dyshohet se është përfshirë në sulmin ndaj KFOR-it në veri. Ai ka thënë se secili nga të përfshirët në sulme do të japë llogari për secilin krim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se secili individ i cili ka qenë pjesë e sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe qytetarëve në komunat në veri të vendit, do të sillet para drejtësisë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të premten se është arrestuar një serb, i cili dyshohet se e kishte sulmuar KFOR-in gjatë protestave të dhunshme në veri të Kosovës. Ministri Sveçla ka bërë të ditur se bëhet fjalë për Nenad Orloviq.

Ai ka theksuar se secili do të japë llogari për secilin krim.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Nenad Orlovic, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në ditën e 29 majit në Zveçan ku mbeten të plagosur shumë ushtarë. Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar. Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë. Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tone”, ka shkruar ai.

Me anë të një postimi në Facebook, ministri Sveçla ka përmendur sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë, gjersa ka theksuar se organet janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë.

“Bandat kriminale në veri të vendit tonë ndër vite kanë ushtruar terror mbi qytetarët tanë përmes akteve të tyre të ndryshme kriminale. Qytetarët tanë, veçanërisht ata shqiptarë, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ata që kanë qëndruar janë rrahur, maltretuar e terrorizuar në vazhdimësi nga këto grupe kriminale. Shumë prej tyre janë larguar nga aty pikërisht për shkak të këtij terrori të ushtruar sistematikisht nga struktura kriminale me urdhër nga Beogradi. Akte të njejta kanë ndodhur edhe ndaj qytetarëve të etnisë serbe të cilët kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me institucionet tona. Mbrëmë, 15 deri në 20 persona kanë rrahur dy të rinj shqiptarë. Ky akt, si çdo tjetër është i papranueshëm dhe organet tona janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë”, ka shkruar Sveçla.

 

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari, N.O banon në Mitrovicën e Veriut, dhe njihet me nofkën “Nemac” apo “Rusi”.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Arrestimi i tij, sipas policisë, është bërë pasi janë siguruar dëshmitë e mjaftueshme në përfshirje në sulm ndaj KFOR-it më datën 29 maj të këtij viti.

Tensionet në veriun e Kosovës filluan më 26 maj, me rastin kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e komunave në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale pas protestave të banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të KFOR-it, me ç’rast mbetën të lënduar dhjetëra persona.

Nga protestat në veri të vendit janë sulmuar edhe gazetarët. Përpos se fizikisht, mjetet e tyre profesionale dhe të udhëtimit janë dëmtuar disa herë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika