Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se është diagnostikuar rasti i parë me ethe të minjve në Kosovë.

Sipas IKSHPK-së, burimi kryesor i këtij infeksioni janë minjtë.

“Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjepruese”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas njoftimit, në organizmin e njeriut shkaktari hyn përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës.

“Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Poqese të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat. Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës”, thuhet në njoftim.

Në këtë njoftim IKSHPK-ja ka paraqitur edhe masat parandaluese.