Brenda dy ditësh Kosova do të kalojë edhe një tjetër përvjetor të pavarësisë pa asnjë njohje të shtetësisë.

Kështu, 2023 do të bëhet viti i tretë që kur vendin nuk e ka njohur asnjë shtet, që nga katër shtatori i 2020-s, kur u njoh nga Izraeli pas marrëveshjes së Uashingtonit.

Për lobimin e këtyre viteve por edhe strategjinë e Kosovës në procesin e njohjeve, nuk kanë pranuar të flasin nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Por, sipas profesorit Seb Bytyçi ka disa arsye që kanë ndikuar në këtë proces, duke mos përjashtuar edhe përgjegjësinë e skenës politike.

“Arsyeja kryesore pse ka mungesë të njohjeve,  është zvarritja e dialogut më Serbinë.  Serbia e paraqet dialogun si një dialog për statusin e  Kosovës tek shtetet e tjera dhe përmes kësaj bënë përpjekje që të bëjë parandalimin e njohjeve për Kosovën. Është humbur shansi i periudhës kur është marr vendimi i Gjykatës së drejtësisë për të siguruar njohje të reja. Duhet të ketë përgatitje për kërkim të njohjeve të reja në momentin kur të nënshkruhet marrëveshja për normalizim që të kërkohen njohjet e  reja. Mos të  humbet edhe kjo shansë ashtu siç kishte ndodhur më vendimin e  Gjykatës së Drejtësisë”, ka deklaruar Bytyqi.

 Arsye tjetër e bllokimit të njohjeve të reja po vlerësohet të jetë edhe mungesa e një strategjie të lobimit.

“Këto vitet e fundit Kosova vazhdimisht ka pasur ngecje qoftë të njohjeve ndërkombëtare por edhe lobim. Vendet afrikane dhe aziatike janë ato që ende nuk e kanë njohur më se shumti Pavarësinë e Kosovës. Nuk e dimë që ka pas ndonjë aktivitete politike të Ministres nëse këto vende, ndërsa kemi pasur kundërofensivë të Serbisë për mos ta njohur Kosovën, e edhe që të tërheqin njohjet që kanë ndodhur”, ka deklaruar analisti Arbnor Sadiku.

Shteti i parë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është Afganistani kurse sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjithsej 117 shtete kanë njohur shtetësinë.