Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në takim liderët e opozitës për të diskutuar në lidhje me çështjet e dialogut Kosovë-Serbi.

Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se takimi është paraparë të mbahet të martën.

“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot u janë dërguar në formë fizike. Ftesa për takim është për ditën e nesërme”, ka thënë ai.

Pranimin e ftesës në formë fizike e kanë konfirmuar për Portalin Dukagjini, LDK-ja.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, po ashtu, e ka konfirmuar ftesën dhe ka deklaruar se do të marrë pjesë në takimin e thirrur.

Kurse partitë e tjera opozitare, PDK nuk ka kthyer përgjigje.

Kryeministri Kurti, vazhdimisht, është kritikuar nga partitë opozitare për mungesë të transparencës sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Po ashtu, këto parti kanë kërkuar nga ai ta publikojë dokumentin e nënshkruar të marrëveshjes për lëvizje të lirë me Serbinë. Një gjë e tillë ende nuk është bërë nga institucionet e Kosovës.

Kosova dhe Serbia më 27 gusht, kanë arritur marrëveshje për lëvizjen e lirë. Kjo marrëveshje u mundësua me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, marrëveshja për targa nuk është arritur ende.