Nga Maqedonia Veriore ku u prit me nderime shtetërore, Derek Chollet, pasditen e kaloi në një shtet tjetër, atë që frymon pro-amerikan.

Në Prishtinë, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit takimet i nisi me të parën e vendit, Vjosa Osmani.

I shoqëruar edhe nga emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, temë e diskutimit ndër të tjera ishte dialogu Kosovë-Serbi.

Edhe pse mediave para mikrofonit nuk iu drejtua, në një njoftim nga zyra e Presidentes janë dhënë detaje.

“Presidentja Osmani dhe z. Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të  bashkëpunimit ndërmjet  dy shteteve. Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovë”, thuhet në komunikatën e Presidencës së  Republikës së Kosovës

Në këtë takim, Osmani po ashtu citohet të ketë thënë se Kosova është gatshme të vazhdoj dialogun duke bërë propozime për marrëveshjen finale, derisa ajo e ka cilësuar Serbinë si kërcënim për rajonin.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, ka theksuar Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

E pas një ore takim, Chollet në konak i shkoi edhe shefit të qeverisë, Albin Kurti.

Sipas njoftimit qeveritar, në takimin mes dy delegacioneve është folur për integrimin euro-atlantik të Kosovës dhe gjithashtu bisedimet Kosovë – Serbi.

“U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, kanë thënë Qeveria e Kosovës.

Njohjen reciproke si kërkesë urgjente në takimin mes Chollet edhe opozitës e ka kërkuar edhe Ramush Haradinaj, që e ka konfirmuar vet ai në një status në Facebook.

Ndërkohë, Chollet gjatë ditës së nesërme do të qëndroj në Beograd, për çka kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se është neutrale sa i pëkretë pritjeve nga takimi me këshilltarin amerikan. Ajo ka potencuar se SHBA-ja i ka premtuar Serbisë se  formimin i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të nis në janar.