Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar raportin për remitanca gjatë këtij viti.

Mbi 1.2 miliard euro ka sjellë diaspora në Kosovë nga 1 janari deri në nëntor të vitit 2023, apo rreth 10.2 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të shkuar, sipas të dhënave të publikuara nga BQK-ja.

Sipas raportit të publikuar, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jobankare, me pjesëmarrje prej 65 për qind, pasuar nga kanalet e tjera me 19 për qind dhe bankat me 16 për qind.

Për sa u përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja ka treguar se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 300.6 milionë euro dhe është rritje prej rreth 200 mijë eurosh krahasuar në tetor 2023.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.65 miliardë eurove, duke shënuar rritje për 54.3 milionë euro.

Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë në fund të muajit nëntor janë rritur për 2.8 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 499.4 milionë eurove.