“Diçka po ziejnë ekstremistët serbë”, alarmon deputeti i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, i cili ka bërë apel te qytetarët e Kosovës që të ushtrojnë kujdes të veçantë nëse udhëtojnë nëpër Serbi me automjete që mbajnë targa të Republikës së Kosovës (RKS).

Në llogarinë e tij në Facebook, Avdyli ka ngritur shqetësimin për fushatën e grupeve ekstremiste serbe në rrjete sociale, të cilët, sipas tij, kanë bërë thirrje për dallimin e shoferëve me origjinë serbe që përdorin targa RKS.

Ai ka theksuar se këto grupe po inkurajojnë vendosjen e shenjave të dallueshme, si flamuj apo simbole fetare, për të shmangur sulmet ndaj tyre.

“Nëpër rrjetet sociale serbe, grupet ekstremiste serbe, të indinjuara që automjatet që pritet të hyjnë në Serbi kanë shenja të shtetit të Kosovës, kanë filluar t’i bëjnë thirrje shoferëve kosovarë me origjinë serbe të vendosin shenja dalluese në automjetet e tyre. Si duket, qëllimi i tyre është të sulmojnë automjatet me targa RKS.”

Ai apelon për shtim të kujdesit për qytetarët që udhëtojnë duke përdorur targa RKS dhe sugjeron masa paraprake, si shmangia e zonave të mbipopulluara, mosndalimi nëse ndalohen nga qytetarë të zakonshëm dhe sidomos nëse sulmohen nga grupe ekstremistësh.

“Diçka po ziejnë ekstremistët serbë, prandaj duhet vëmendje e shtuar”, paralajmëron Avdyli, duke u bërë thirrje shoferëve të mos ndalohen në vendet ku ka grumbullime njerëzish, të shmangin ndalimin e automjetit nga persona të paautorizuar dhe të mos reagojnë në provokime të mundshme pranë rrugëve apo autostradave.