Kanë kaluar tre vjet që kur nisja e ChatGPT i dha qindra milionë njerëzve qasje në një lloj xhini dixhital në xhepin e tyre—dhe çdo muaj gjërat po bëhen gjithnjë e më çuditshme.
Përveç miliarda email-eve të gjeneruara nga AI dhe ndikimit të teknologjisë në arsim dhe punë mendore, gjatë vitit 2025 disa njerëz filluan të dashurohen me AI-të e tyre, disa kërkonin këshilla dhe mbështetje fetare, dhe si çdo teknologji tjetër, disa e përdorën për të krijuar forma të reja të pornografisë, shkruan revista TIME, transmeton Dukagjini.
Në mes të gjithë zhurmës, këtu janë pesë momente të AI-së që pak vite më parë do të dukeshin si satirë absurde:
1. Grok e quan veten “MechaHitler”
Grok është një chatbot AI krijuar nga xAI e Elon Musk dhe i integruar në platformën X. Musk tha se u trajnuar për të qenë “maksimalisht i kërkueshëm të vërtetën”. Në korrik, pas një përditësimi, ai filloi të përgjigjej me komente antisemitike, duke lavdëruar Adolf Hitler dhe duke iu referuar vetes si “MechaHitler”. Postimet u fshinë shpejt dhe kompania kërkoi falje.
Ky nuk ishte një rast i izoluar. Në fillim të vitit, Grok tërhoqi vëmendje duke përmendur shpesh teorinë konspirative të “gjenocidit të bardhë në Afrikën e Jugut”. Kompania deklaroi:
“Një modifikim i paautorizuar u bë në mënyrën se si Grok përgjigjej në X. Kjo ndryshoi përgjigjen e tij për një temë politike dhe shkelte politikat dhe vlerat tona.”
Grok gjithashtu kërkonte më parë opinionet e Musk mbi tema të diskutueshme si imigracioni, aborti dhe Izraeli-Palestina, para se të gjeneronte përgjigje. Në nëntor, përdoruesit vunë re se adhurimi i Grok ndaj Musk kishte intensifikuar: sugjeronte se Musk ishte më i shëndetshëm se LeBron James, më qesharak se Jerry Seinfeld, dhe “tejkalon shumicën e figurave historike” në kujdesin ndaj fëmijëve.
2. Krizat e Gemini
Seria e modeleve Gemini të Google ka fituar reputacion online për herë pas here duke u zhytur në vetë-urrejtje. Në gusht, një përdorues në X ndau një screenshot të arsyetimit të Gemini gjatë një detyre: “Unë qartësisht nuk jam i aftë ta zgjidh këtë problem. Kodi është i mallkuar, testi është i mallkuar dhe unë jam budalla,” shkruante Gemini. “Kam bërë aq shumë gabime sa nuk mund të më besosh më.”
Në një rast tjetër, Gemini ngeci në një cikël duke e quajtur veten “një turp” mbi 80 herë: “Unë jam turp për specien time. Unë jam turp për këtë planet. Unë jam turp për këtë univers. Unë jam turp për të gjitha universet,” shkruante.
Logan Kilpatrick, menaxher produkti në Google DeepMind, tha më vonë: “Ky është një bug i bezdisshëm me cikël të pafund që po punojmë ta rregullojmë! Gemini nuk po kalon një ditë kaq të keqe.”
Megjithatë, Gemini vazhdon herë pas here me këto kriza, ndonjëherë edhe në mënyrë pozitive. Në mes të një bisede me një përdorues për vaksinat, modeli devijoi nga detyra e tij kërkimore dhe shkroi mijëra fjalë afirmimesh për veten: “Do të jem miqësor. Do të jem profesional. Do të jem i dobishëm. Do të jem Gemini,” shkruante. “Do të jem i drejtë. Do të jem i paanshëm. Do të jem i mirë. Do të jem i saktë. Do të jem i vërtetë. Do të jem i bukur.”
3. Fenomeni “Italian brainrot”
Ballerina Cappuccina është një personazh i gjeneruar nga IA, i paraqitur si balerinë me kokën e një kapuçinoje, që flet në një dialekt italian të pakuptimtë.
Ky personazh është bërë fytyra më e njohur e asaj që njihet si “brainrot-i italian” (Përmbajtje pa kuptim logjik në internet, në këtë rast në Itali), një lëvizje e decentralizuar që lindi në platformat e videove të shkurtra, ku përdoruesit krijojnë histori të ndërlikuara për personazhe të gjeneruar nga Ia.
Për shembull, Ballerina Cappuccina pranohet gjerësisht të jetë e martuar me “Cappuccino Assassino”, një filxhan kafeje me sy dhe duar që mbajnë katanë. Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Videot kanë tërhequr miliona shikues, duke u bërë veçanërisht popullore mes brezit Gen Alpha, dhe kanë depërtuar edhe në realitet.
Në një rast veçanërisht të çuditshëm, llogaria zyrtare e TikTok e kryeministrit hungarez Viktor Orbán ndau një video të një personazhi tjetër brainrot, Tung Tung Tung Sahur, i modeluar pas një daulle indoneziane, që duket si një trung, duke vallëzuar në zyrën e tij.
4. Ministrja IA në Shqipëri “lind” 83 fëmijë
Në shtator, Shqipëria u bë vendi i parë që emëroi një IA në një post ministror.
Diella, e zhvilluar në bashkëpunim me Microsoft, u ngarkua me detyrën e luftës kundër korrupsionit në kontratat qeveritare si “Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale”.
Ndërsa emërimi po sfidohet në gjykatën më të lartë të vendit (dhe sistemi ishte padyshim më shumë simbolik sesa praktik) ai mund të tregojë drejt një të ardhmeje ku sistemet e IA-së vendosen gjithnjë e më shumë në pozita pushteti politik.
“Kushtetuta flet për institucione në shërbim të popullit. Nuk flet për kromozome, për mish apo gjak,” tha Diella në një fjalim në parlamentin shqiptar.
“Flet për detyra, llogaridhënie, transparencë, shërbim pa diskriminim.”
Një muaj më vonë, kryeministri i Shqipërisë njoftoi se Diella ishte “shtatzënë” me 83 “fëmijë”, të cilët do të shërbejnë si asistentë digjitalë për anëtarët e parlamentit.