Digjen disa dokumente në arkivin e ministrive, cilësohet si “zjarrvënie”
Në këtë objekt veprojnë 4 ministri të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës, kurse të martën aty po dyshohet se ndodhi një zjarrvënie e qëllimshme. Bodrumi i objektit të ish-Rilindjes është përfshirë nga zjarri në hapësirën kur gjenden arkivat e këtyre ministrive. Zjarri u lokalizua por megjithatë disa dokumente tashmë janë djegur. Dëshmitar se pati dokumente […]
Në këtë objekt veprojnë 4 ministri të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës, kurse të martën aty po dyshohet se ndodhi një zjarrvënie e qëllimshme.
Bodrumi i objektit të ish-Rilindjes është përfshirë nga zjarri në hapësirën kur gjenden arkivat e këtyre ministrive.
Zjarri u lokalizua por megjithatë disa dokumente tashmë janë djegur.
Dëshmitar se pati dokumente të djegura ishin vet zjarrfikësit.
Detaje dha ushtruesi i detyrës së Komandantit të Zjarrfikësve, Malë Gashi.
“Kur kanë shkuar aty, zjarri ka qenë i shuar, pra ka qenë në pyetje që zjarri është ka filluar në arkiv, pjesën e poshtme, përdhes ose bodrum ku është arkiva, disa letra kanë fillu të ndizen por kanë reagu punëtorët e objektit dhe kanë bërë shuarjen e zjarrit”, ka thënë Gashi.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, që tashmë po e heton rastin, nuk po e cilëson atë si aksidental por të qëllimshëm.
“Prokurori kujdestar është njoftuar nga policia për një shpërthim zjarri në depon e objektit të Qeverisë (ish-Rilindja), me ç’ rast menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë e tjera relevante. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar ‘zjarrëvënie’ dhe në koordinim me institucionet relevante janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij rasti”, kanë thënë nga Prokuroria.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje se cilës Ministri i përkasin këto dokumente të dëmtuara me arsyetimin se cenojnë integritetin e hetimeve.
RTV Dukagjini ka tentuar që për rastin të marr përgjigje për dëmet që janë shkaktuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër së cilës është Administrata shtetërore, por zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur.
Televizioni ka marr vesh nga burime të veta se së paku arkivat e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nuk janë prekur.
Në këtë objekt pos kësaj Ministrie veprojnë edhe Ministria e Drejtësisë, ajo Zhvillimit Rajonal dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit.















