I vështirë dhe jo i zakonshëm ka qenë mëngjesi i sotëm për Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Në orët e para të mëngjesit, kati i katërt i objektit është përfshirë nga zjarri .

Zjarri, sipas zyrtarëve, u arrit të lokalizohet por megjithatë nuk mbërritën të shpëtojnë pajisjet kompjuterike, të cilat u dogjën.

Në to, sipas zëdhënësit të Spitalit, pati të dhëna të ndryshme, përfshirë databazën me informacione të brendshme të Spitalit, por që sipas tij ky nuk ishte vendi i vetëm që ato ruheshin.

Për këtë rast, Polica e Rajonit të Pejës, thonë se u informuan rreth orës 4 të mëngjesit.

Derisa nga Spitali thonë se dyshimet e para janë se zjarri ka ardhur si pasojë e rrymës, në Prokurorinë e Pejës, tregojnë se janë duke pritur raportin për të ditur shkakun, e pastaj, të fillojnë me hetimet.

Megjithëkëtë, siç ka mësuar televizioni nga burime të veta, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri.

Një kat me poshtë se dhoma e përfshirë nga zjarri, ndodhet Reparti i  Gjinekologjisë.

Sipas udhëheqësve të Spitalit, ky repart nuk është dëmtuar nga zjarri, derisa shtojnë se shërbimet po vazhdojnë të kryhen normalisht.