Digjet një banesë në Gjilan, vdes një 50 vjeçar
“Në shtatë jemi çu një kafe me bashkëshortin e kemi pirë”. Magbule Shkodra kafen e mëngjesit e pi herët me bashkëshortin. Edhe të shtunën rutinën e nisi si zakonisht, po pa e ditur se do të bëhet dëshmitare e një ngjarjeje të kobshme. “Edhe e kam parë një dorë të njeriut, tash a ka qenë […]
“Në shtatë jemi çu një kafe me bashkëshortin e kemi pirë”. Magbule Shkodra kafen e mëngjesit e pi herët me bashkëshortin. Edhe të shtunën rutinën e nisi si zakonisht, po pa e ditur se do të bëhet dëshmitare e një ngjarjeje të kobshme.
“Edhe e kam parë një dorë të njeriut, tash a ka qenë mashkull a femër nuk e di. Në atë dritare në katin e katërt aty, e kam parë kur e ka hapur dritaren. Edhe ka kërsit edhe diçka tjetër edhe një herë, a ka ra (diçka) në tokë, nuk e di. Njeri nuk kam pa, kurgjo jo, pasi që janë hapur dritaret ka fillur me dalë tymi”, ka rrëfyer Magbule Shkodra, Dëshmitare për RTV Dukagjinin.
Kati i katërt i ndërtesës përballë tyre në tregun e gjelbër në Gjilan, u përfshi nga zjarri.
“Çfarë flake dilke prej dritare, i jepke zor, mendojsha që po do me pëlsit (shpërthy) diçka”, ka shtuar Magbule Shkodra, Dëshmitare.
Dora e njeriut për të cilën flet Shkodra dyshohet të jetë e të vetmit person që ishte në banesë, një personi 50 vjeçar i cili vdiq nga zjarri.
“Njësitet policore me urgjencë kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para është mësuar se si pasojë e zjarrit një person kishte mbetur i vdekur. brenda hapësirës së banesës. Në banesën për të cilën po flasim ka qenë vetëm një person ndërsa banorët përreth janë evakuar nga zjarrëfikësit dhe personat e sigurisë që kanë qenë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Ismet Hasani, Zëdhënës i Policisë, Gjilan.
Edhe dëshmitarët në pjesën tjetër të banesës thonë se Policia dhe Zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vend ngjarje, por pa arritur ta shpëtojnë 50-vjeçarin.
“Si fillim e kemi parë tymin, pastaj kanë dalur të gjithë njerëzit nga banesa, Policia e Kosovës ka ardhur menjëherë në vend të ngjarjes, jemi shqetësuar jashtëzakonisht shumë. Nga shqetësimi edhe një zonjë që banon këtu afër ka kërku ndihmë edhe e dërguam në emergjencë”, ka thënë Naime Bllaca, Banore.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka urdhëruar që trupi i viktimës të dërgohet për autopsi, ndërkaq rasti është kualifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
As nga Policia por as Prokuroria nuk kanë treguar se çka dyshohet të ketë shkaktuar zjarrin.















