Gjithçka u bë shkrumb e hi.
Zjarri që fillimisht përfshiu këtë shtëpi në rrugën “Mark Isaku” e dëmtoi edhe tjetër qe ishte afër saj.
E, përveç mureve, tek shtëpia që ishte duke u rinovuar dhe ku shpërtheu zjarri, s’mbeti gjë.
“Përveç dëmeve materiale që u shkaktoi zjarri këtyre dy shtëpive në lagjen “Tophane” të Prishtinës, nuk ka persona të lënduar”.
Ndonëse arsyet e zjarrit, sipas Policisë, nuk dihen ende, të premten pak para mesnate këtu ishte e nevojshme ndërhyrja e zjarrfikësve.
Këta të fundit u njoftuan nga banorët, derisa intervenimi zgjati disa orë.
Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve të kryeqytetit dha detaje përmes një përgjigje me shkrim.
“Në orën 23:24 jemi inforumu për zjarr në një shtëpi në rrugën ‘Mark Isaku’, ekipet kanë dal menjëherë në vendngjarje ku nga zjarri ishte përfshi një shtëpi dhe kulmi i një shtëpie tjetër që ishin të ngjitura. Sipas informatave, nuk ka të lënduar dhe intervenimi ka përfundu në orën 02:15”, ka thënë Malë Gashi.
Fqinjët që s’deshën të deklarohen para kamerës thanë që u dëmtuan edhe dy vetura.
As këta nuk janë në dijeni për shkaktarët që çuan deri te kjo gjendje.
Televizioni ka provuar të marr një qëndrim edhe nga pronari i shtëpisë, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Ndërkohë nga Policia nuk kanë bërë të ditur nëse hetimet për këtë rast kanë nisur.