Diplomatët e BE-së mbështesin zgjidhjen me dy shtete Izrael – Palestinë

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të reja ndaj Hamasit, pasi, sipas ministres gjermane, Annalena Baerbock, Brukseli e sheh si të rëndësishme shpërbërjen e rrjetit financiar të kësaj organizate terroriste

Flamujt e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian vendosi sot sanksione të reja ndaj Hamasit, pasi, sipas ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, Brukseli e sheh si shumë të rëndësishme shpërbërjen e rrjetit financiar të organizatës që Uashingtoni dhe BE-ja e konsiderojnë si terroriste. Kjo duket të jetë pika e vetme, me të cilën diplomatët evropianë janë në pajtim me Izraelin, pasi për një çështje tjetër me rëndësi, atë të krijimit të një shteti palestinez, Izraeli dhe Brukseli nuk bien dakord.

Një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, foli kundër krijimit të një shteti palestinez, kryediplomatët e Bashkimit Evropian këmbëngulën se e vetmja zgjidhje për konfliktin është krijimi i dy shteteve.

Për sa kohë të jem kryeministër, do të vazhdoj të këmbëngul fuqishëm kundër një shteti palestinez”, tha kryeministri Netanyahu të dielën.

“Izraeli mund të jetë i sigurt vetëm kur palestinezët të kenë siguri dhe dinjitet. Palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, siguri dhe liri vetëm kur Izraeli ka siguri. Prandaj zgjidhja me dy shtete është zgjidhja e vetme. Ata që e kundërshtojnë këtë nuk kanë dalë me një alternativë deri më tani”, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, para se të hynte në takim.

Qëndrimin e zonjës Baerbock e mbështeti edhe shefi i politikës së jashtme i BE-së, Josep Borrell.

Unë mendoj se ne duhet të ndalojmë së foluri për paqen dhe të fillojmë të flasim më konkretisht për procesin e zgjidhjes me dy shtete. Pra, le të flasim për atë që duam të bëjmë. Ajo që duam është të ndërtojmë një zgjidhje me dy shtete”, tha Borrell.

Gjatë takimit që u mbajt sot të kabinetit të Autoritetit Palestinez, kryeministri Mohammad Shtayyeh tha se “ka një lëvizje ndërkombëtare drejt zgjidhjes me dy shtete”.

Ne e dimë se ka një konsensus ndërkombëtar për krijimin e një shteti palestinez”, tha Shtayyeh.

Në Bruksel, ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, i pranishëm në takimin e BE-së, tha se do të kërkojë nga BE-ja ndihmë për dy qëllime: lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi dhe:

Së dyti, të mbështesim Izraelin për të shkatërruar organizatën terroriste Hamas që sulmoi Izraelin në mënyrë brutale dhe ne duhet të rikthejmë sigurinë tonë. Ushtarët tanë po luftojnë në kushte shumë të vështira për këto dy qëllime: të kthejnë pengjet dhe të rivendosin sigurinë për qytetarët e Izraelit”, tha Katz.

Me kërkesën e dytë janë pajtuar diplomatët e BE-së, të cilët, sipas ministres së Jashtme gjermane Baerbock, e shohin shpërbërjen e rrjetit financiar dhe të atij mbështetës të Hamasit si tejet të rëndësishëm.

Bashkimi Evropian sapo ka miratuar sanksione kundër rrjetit financiar dhe atij mbështetës të Hamasit”, njoftoi Baerbock .

Para dhe gjatë takimit të BE-së janë bërë edhe thirrje për një pauzë të re në luftën e Izraelit për të lejuar futjen e më shumë ndihmave humanitare në Gazë. /VoA

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika