Diplomati amerikan: Kosova dhe Serbia kanë marrë vendime të vështira por duhen ende të tjera

I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin, ka vlerësuar se ndonëse Kosova dhe Serbia kanë marrë vendime të vështira, në dialogun në mes tyre duhet të merren edhe disa të tjera të tilla

I dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin, ka komentuar edhe Marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel fillimisht dhe më pastaj më 18 mars në Ohër.

Rubin, i cili po qëndron në Ballkanin Perëndimor në një vizitë katër ditore, në një konferencë për media në Mal të Zi, ka thënë se nëse zbatohet kjo marrëveshje, do të ketë një perspektivë për një të ardhme më të ndritur për rajonin.

Megjithatë, sipas tij, në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të merren vendimet të vështira.

“Asgjë e mirë nuk ndodh në botë nëse nuk merren vendime të vështira. Disa vendime të vështira tashmë janë marrë, por duhet të merren disa të tjera”, ka thënë Rubin.

Në anën tjetër, ai është  pyetur se si e sheh rajonin tani krahasuar me vitet e 90’ta, ai thotë se sheh dallime të mëdha në Ballkanin Perëndimor.

“Shoh dallime të mëdha në krahasim me kohën e luftës, mjerimit, masakrave masive të civilëve të pafajshëm. Tani mund të shohim perspektivën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, nëse liderët e pranojnë shansin që u është dhënë”, shtoi ai, shkruan mediumi malazez “Vijesti”.

Po ashtu, Rubin theksoi se SHBA-ja, i mirëpret marrëveshjet në të cilat po punon BE-ja dhe ndihmon Kosovën dhe Serbinë që të kenë marrëdhënie normale, t’u mundësojnë popujve të jetojnë pranë njëri-tjetrit, të njohin simbolet, të drejtat e pakicave, liritë dhe të ecin përpara.

 “Jam i bindur se Mali i Zi s’do t’i drejtohet më Beogradit dhe Moskës”

“Pasi bisedova me zyrtarë malazezë dhe liderë partiak, jam i bindur se Mali i Zi nuk do t’i drejtohet më Beogradit dhe Moskës”.

Kështu është shprehur ai, teksa shton se nëse dezinformomi rus dominon në Ballkanin Perëndimor, atëherë do të jetë vështirë të arrihet përparim.

“Besoj se lufta kundër dezinformatave do të jetë prioritet i qeverisë së re në Mal të Zi. Në Mal të Zi ka një sërë portalesh që përhapin dezinformata nga Rusia dhe Kina”, ka thënë Rubin.

Diplomati amerikan beson se Mali i Zi ka një të ardhme më të mirë sepse është anëtar i NATO-s dhe pritet të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen.

“Arsyeja pse jam këtu, në emër të Presidentit Biden dhe sekretarit Blinken, është sepse e ardhmja e suksesshme e Malit të Zi duhet të përfshijë përpjekje të forta dhe të përkushtuara në luftën kundër sfidave të dezinformimit. Është një problem i ri në botë, sepse ana e errët e revolucionit dixhital lejojnë regjimet autoritare, si Rusia dhe Kina, të përdorin mjetet që ne menduam se do të sillnin demokracinë në botë, të sjellin errësirë, dezinformata, gënjeshtra”.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika