Diplomati britanik: UÇK-ja ishte heterogjene, kosovarët përballuan aparteidin dhe spastrimin etnik
Në vazhdimin e procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshminë e tij e ka dhënë diplomati britanik dhe ish-këshilltar politik i komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan. Në paraqitjen e tij, Duncan ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte një përbërje heterogjene, me […]
Në vazhdimin e procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, dëshminë e tij e ka dhënë diplomati britanik dhe ish-këshilltar politik i komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan.
Në paraqitjen e tij, Duncan ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte një përbërje heterogjene, me individë që morën armët për arsye të ndryshme.
Ai përmendi ish-ushtarë të Armatës Jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë, si dhe persona që kishin përjetuar keqtrajtime personale dhe familjare.
“Përbërja e aktorëve kryesorë, personave kryesorë, veçanërisht kur filloi të përshkallëzohet spastrimi etnik, kishte disa shtresa; kishte persona që kanë qenë ushtarë në Armatën Jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë, të tjerë që iu ishin keqtrajtuar familjet. Motivi tyre për të rrëmbyer armët ishte i ndryshëm ndonjëherë…
Që të abuzohet seksualisht një femër shqiptare është e tmerrshme. Duhet të kemi parasysh që ne e themi shoqëri muslimane, por nuk është shoqëri aq muslimane. Shqiptarët më kanë thënë që në fakt ata janë muslimanë që bëjnë kryqin kur kalojnë para Kishës. Nuk është shoqëri islamike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës siç kuptohet në Lindjen e Mesme. Çështja e nderit është e rëndësishme për shqiptarët dhe që të çnderohet një femër në atë mënyrë është e papranueshme”, ka thënë ai.
Ai shtoi se shqiptarët e Kosovës kishin kaluar nëpër një periudhë aparteidi gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke u përjashtuar nga qeverisja dhe shërbimet publike, gjë që çoi në spastrimin etnik të viteve 1998–1999.
Sipas tij, kosovarët ruanin një lidhje të fortë mes vete, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë që ai i përshkroi si më të ndarë sipas zonave gjeografike dhe historike.
“Shqiptarët e Kosovës kanë qenë pjesë e një aparteidi gjatë kohës së Millosheviqit. Kanë qenë të përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisje, shërbime publike dhe gradualisht e gjithë kjo solli spastrimin etnik që e kemi parë të gjithë”.
“Ishin të ndryshëm nga shqiptarët e Shqipërisë. Sipas mendimit tim, nuk e kishin humbur afeksionin ndaj njëri-tjetrit. Ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Po spekuloj. Ju lutem mirëkuptojeni që thjesht është mendimi im. Shqiptarët e Shqipërisë janë të ndarë kryesisht në tri zona: Veriu që ka gjakmarrje, klane edhe kjo është pjesa dominuese e historisë dhe kulturës së Shqipërisë. Shqipëria e mesme është disi më ndryshe, më e përzier dhe Shqipëria e Jugut është shumë më e ndikuar nga Greqia”
Diplomati britanik foli gjithashtu për shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar pas rënies së komunizmit në Shqipëri, veçanërisht për idenë e Shqipërisë së Madhe, që në atë kohë shihej si rrezik potencial.
Duncan kujtoi se kishte qenë vetë nënshkrues i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, të cilën e kishte firmosur në emër të saj Hashim Thaçi.
“Ka pasur një aspekt tjetër që besoj që ju e kuptoni, ideja e Shqipërisë së Madhe e shqetësonte komunitetin ndërkombëtar dhe kjo kishte kohë. Dhe kur doli Shqipëria nga komunizmi, ky ishte një nga shqetësimet dhe ata donin të kuptonin se si ishte marrëdhënia në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe shqiptarëve të saj. Kështu që unë duhej të isha i fokusuar në këtë aspekt, të bisedoja me këta persona dhe t’ua shpjegoja eprorëve të mi se a ishte kjo një realitet, a mund të ndodhte kjo, a ka dallime në mses shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës…”, ka shtuar Duncan.















