Diplomati Tahiri takon Nuncin Apostolik në Kroaci, në fokus dialogu dhe marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë

Diplomati i Kosovës në Zagreb, Mentor Tahiri është pritur sot (e enjte) në Nunciaturën Apostolike në Kroaci nga Arqipeshkvi Leopoldo Girelli, Nunci Apostolik në Kroaci, në kuadër të takimeve të rregullta që Ambasada e Kosovës në Kroaci zhvillon me Nunciaturën Apostolike.

Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës së Kosovës në Kroaci thuhet se gjatë takimit është zhvilluar një bisedë e përzemërt dhe konstruktive mbi çështje me interes të përbashkët, ku u theksua rëndësia e dialogut, paqes, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vlerave universale që bashkojnë popujt dhe forcojnë mirëkuptimin ndërmjet tyre.

Bashkëbiseduesit tutje thuhet se kanë vlerësuar gjithashtu marrëdhëniet e mira dhe lidhjet e veçanta të ndërtuara ndër vite ndërmjet popullit të Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë.

Me këtë rast, Nuncit Apostolik, Arqipeshkvit Leopoldo Girelli, iu dhurua libri “Nënë Tereza – Mother Teresa”, me dedikim nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, dr. Martin Berishaj, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij në promovimin e dialogut, paqes dhe vlerave universale.

Të fundit nga rubrika