Diplomati Wolfgang Petritsch: BE-ja duhet të bëjë më shumë për dialogun Kosovë-Serbi

Ish- i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mençur, për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe

Diplomati Wolfgang Petritsch

Wolfgang Petritsch në një intervistë për REL-in ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Petritsch, BE-ja duhet të bëjë më shumë për dialogun, në mënyrë që të mos shkaktohet zvarritja e procesit.

“Është shumë e rëndësishme që të ulen tensionet. Kjo është çështja më e rëndësishme tani. Po flas në pamje më të gjerë që përfshin Evropën Lindore dhe atë Juglindore, sepse për shkak të luftës në Ukrainë, situata është bërë shumë më emocionale dhe më e paqëndrueshme. Natyrisht që agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka ndikim edhe në Ballkan”, ka thënë Petritsch.

I pyetur se a e ka marrë Qeveria e Kosovës vendimin e duhur për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, ai ka thënë se kjo do t’i ndihmojë shteteve në uljen e tensioneve, sepse kjo situatë do të shkaktonte një konflikt serioz.

Duke ditur se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit vitin e kaluar, sipas Petritsch kjo ndikon në çështjet e pazgjidhura, dhe bën që situata të dalë nga duart.

Petritsch ka folur edhe në lidhje me asociacionin duke thënë se, “Ka qenë vendim i drejtë. Mendoj se është e nevojshme që të ketë një lloj Asociacioni të bazuar në marrëveshjet e vitit 2015. Ajo duhet të zbatohet. Megjithatë, e shoh se Kosova qartazi nuk dëshiron të ketë një Republika Sërpska. Edhe linja e Uashingtonit dhe Brukselit është se nuk dëshirojnë një tjetër Republika Sërpska në Kosovë, mirëpo një asociacion të komunitetit serb atje, kur është fjala për çështje që mund t’ua përmirësojnë jetën atyre njerëzve”.

Gjithashtu, ka shtuar se, “Kjo ka të bëjë me komunitetin serb, por diçka e tillë do t’i shërbente edhe komunitetit shqiptar, sepse janë duke jetuar bashkë. Duhet të gjendet kompromis. Pra, nuk duhet të jetë mbi baza etnike, mirëpo në të njëjtën kohë duhet t’iu japë të drejta minoriteteve ku janë, e që në këtë rast është komuniteti serb në veri të Kosovës”.

Në ngritje të këtyre tensioneve, sipas Petritsch, ka ndikuar edhe mosrealizimi i dialogëve mes dy palëve.

Petritsch i është drejtuar edhe Bashkimit Evropian, duke thënë se duhet të mbajnë më shumë përgjegjësi në mënyrë që të arrijë zbatimi në zgjidhje të konfliktit.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika