Diplomojnë 45 zyrtare korrektuese në 24-vjetorin e themelimit të ShKK-së
Me rastin e shënimit të 24-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë diplomuar 45 zyrtare korrektuese nga gjenerata e 43-të. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shënimi i përvjetorëve të këtyre institucioneve ka rëndësinë e veçantë kur progresi tyre është evident. Ai shtoi se është hartuar reforma ligjore që avancon shërbimet […]
Me rastin e shënimit të 24-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë diplomuar 45 zyrtare korrektuese nga gjenerata e 43-të.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shënimi i përvjetorëve të këtyre institucioneve ka rëndësinë e veçantë kur progresi tyre është evident. Ai shtoi se është hartuar reforma ligjore që avancon shërbimet ndaj të burgosurve dhe të drejtave të tyre.
Kurti ka theksuar se ShKK-ja me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore, me sukses po certifikon 45 zyrtare korrektuese gra.
Ai shtoi se është në proces themelimi i institucioneve që ofrojnë shërbime të veçanta për të burgosurit me nevoja të veçanta, persona të moshuar, ata me sëmundje kronike dhe ata të varur nga substancat narkotike.
Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit ka thënë se Shërbimi Korrektues i Kosovës është në rrugë të mbarë të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë.
Ai ka potencuar se “synimi ynë është që të gjithë të burgosurit që një ditë do të lirohen, të mund të integrohen në shoqëri më të mirë, më të drejtë dhe më të aftë se sa që ishin më herët”, transmeton KP.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion që ka shënuar progres, përveç në infrastrukturë, edhe në cilësinë e shërbimit dhe të profesionalizmit.
Ajo ka shtuar se sistemi korrektues i Kosovës ka synim sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë.
Haxhiu ka kërkuar nga zyrtarë të ShKK-së që punën e tyre ta kryejnë me nder dhe përgjegjësi të lartë, derisa theksoi se misioni i tyre është i lartë dhe i shenjtë.
Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i promovuar vlerat e drejtësisë.
Ai ka shtuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka punuar dhe po vazhdon të punojë kundër kontrabandës dhe korrupsionit.















