Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, të premten, është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kastriot Jashari, zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm të AKSP-së, ka thënë se ky bashkëpunim me Shërbimin Korrektues të Kosovë nuk do të ishte i mundur pa ministrin Sveçla e ministren Haxhiu.

“Në emër të akademisë, fillimisht, u uroj për përfundimin e trajnimit profesional për shërbimin korrektues të Kosovës. Nga sot ju jeni zyrtarë korrektues, falë bashkëpunimit me Shërbimin Korrektues, dua të jem i saktë dhe i vërtetë, që ky bashkëpunim nuk do të mund të arrihej pa ministren Albulena Haxhiu dhe ministrin Xhelal Sveçla. Në gjithë këto javë keni kaluar në proces profesional që qëllimi kryesor ka qenë mësimdhënia dhe mësimnxënia dhe jam e bindur qe kjo është arritur. Presim të kemi trajnime të tjera të këtij lloji, u uroj  kadetëve që shkathtësinë dhe kompetencën që e keni marrë të mos vijë në shprehje ta përdorni, por nëse vjen mundësia do ta bëni më së miri”, ka thënë Jashari.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjatë këtij mandati, janë bërë reforma në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe me Ligjin për Paga zyrtarët e ShKK-së do të trajtohen dinjitetshëm.

“Është një pamje shumë e mirë e kadetëve dhe po më vjen mirë për këtë. Mirë se po e gjejmë njëri-tjetrin në këtë moment të rëndësishëm për të gjithë ne, aspiratat për ta krijuar një sistem më efikas po rezulton pozitiv. Ju keni arritur të përzgjedheni si zyrtarë korrektues, ka qenë proces transparent dhe meritor. Të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe ju e keni këtë detyrë si zyrtarë të shërbimit korrektues të Kosovës. Gjatë këtij mandati, ne kemi bërë reforma në ShKK, si dhe ne ligjin për paga zyrtarët korrektues do të trajtohen dinjitetshëm. Secili prej jush do të duhet të jetë në nivelin më të lartë të detyrës. Do të përcjell me vëmendje zhvillimet në Shkk dhe do vazhdoj përkrahjen e madhe ndaj Shkk dhe nuk do të toleroj asnjë shkelje që bie ndesh me ligjin”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, shefja e kabinetit të Sveçlës, Jeta Tela, ka uruar në emër të ministrit, diplomimin e gjeneratës së 42 të SHKK-së, teksa ka theksuar se ky shërbim është një hallkë shumë e rëndësishme e sigurisë publike.

“Ju uroj gjithë jadeteve diplomimin dhe u uroj suksese. Sot në emer të ministrit u uroj diplomimin e gjeneratës së 42 të shërbimit korrektues pas një angazhimi të disa javëve rresht. Rreth 60% e trajnimit ishte bërë në mënyrë praktike. Sot këtij profesioni fisnik po i bashkohen edhe 46 vajza e djem në të mirë të sigurisë publike. Si mpb kemi prioritet luftimin e krimit dhe korrupsionit, ju do të jeni pjesë e këtij misioni. Edhe pse nuk thuhet e njihet shpejt, Shkk është një hallkë tepër e rëndësishme e sigurisë publike”, ka theksuar Tela.