Diplomon gjenerata e 62-të e policisë, Hoxha e Sveçla me mesazhe për rastin e Lipjanit
279 zyrtarë të rinj, këtë të premte i janë bashkuar Policisë së Kosovës, duke shënuar kështu diplomimin e gjeneratës së 62-të. Mirëpo, këta të rinj e të reja, në fjalimin e drejtorit të tyre gjatë kësaj ceremonie morën një mesazh të qartë, ashtu sikurse 5 kolegët e tyre që përfunduan në paraburgim nën dyshimet se […]
279 zyrtarë të rinj, këtë të premte i janë bashkuar Policisë së Kosovës, duke shënuar kështu diplomimin e gjeneratës së 62-të.
Mirëpo, këta të rinj e të reja, në fjalimin e drejtorit të tyre gjatë kësaj ceremonie morën një mesazh të qartë, ashtu sikurse 5 kolegët e tyre që përfunduan në paraburgim nën dyshimet se kaluan kompetencat e tyre, në rastin kur një 27 vjeçar që vdiq në Lipjan.
“Ju garantoj se nuk do të tolerojmë çfarëdo forme eventuale të tejkalimit të autorizimeve policore. Andaj, kërkoj fuqishëm që Inspektorati i Policisë së Kosovës, hetimet tona të brendshme dhe institucionet e tjera relevante të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike”, ka thënë Gazmend Hoxha, Drejtor i Policisë së Kosovës.
I njëjti para zyrtarëve të rinj tregoi edhe rëndësinë e mbajtjes së uniformës së Policisë së Kosovës.
Hoxha: Mos harroni se qytetarët në uniformën tuaj shohin shpresën, guximin, presin mbrojtje dhe siguri
“Uniforma policore nuk është një privilegj, por mbi të gjitha është një përgjegjësi shumë e madhe. Njëkohësisht është një emocion, është një krenari duke pranuar detyrën e shenjtë të shërbimit dhe qytetarit të vendit”, ka thënë Gazmend Hoxha, Drejtor i Policisë së Kosovës.
E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhalal Sveçla, tha se ata kanë për detyrë të veprojnë me profesionalizëm, guxim, dhe duke zbatuar ligjin.
Sveçla: Duke respektuar ligjet tona ju duhet të veproni me profesionalizëm, guxim e integritet të lartë
”Kjo gjeneratë që sot jep betimin si pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë mbështetja e vizionit tonë të përbashkët për një polici profesionale që garanton rend dhe ligj, që respekton e mbron qytetarët tanë dhe që me integrimet e disiplinë mbron besimin e qytetarëve të ndërtuar ndër vite për Policinë e Kosovës”, ka thënë Xhelal Sveçla, Ministër në detyrë i MPB-së.
Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, mbrojti Policinë e Kosovës nga siç i quajti ai përpjekjet për të bërë dëm në institucionet e respektuara siç është policia.
Bislimi: Përpjekjet dhe fushatat për të cenuar integritetin, profesionalizmin dhe imazhin e Policisë së Kosovës tregojnë për qëllime në dëm të interesave të Republikës së Kosovës
“Përpjekjet dhe fushatat për të cenuar integritetin, profesionalizmin dhe imazhin e Policisë së Kosovës bazuar në raste të izoluara tregojnë për qëllime në dëm të interesave të Republikës së Kosovës e kërcënim ndaj institucioneve të saj të respektuara si policia”, ka thënë Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës.
Fatbardh Berisha, njëri nga pjesëtarët e Gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës, tha se do të punojnë ashtu siç thotë ligj.
Policia e Kosovës me 7 korrik ka përmbyllur edhe konkursin e ri për pranimin e 350 zyrtarëve, ku kanë aplikuar afro 6900 persona.















