Disa politikanë perëndimorë po kërkojnë një konflikt mes NATO-s dhe Rusisë, pas një strategjie “të dështuar” për ta mposhtur Moskën në luftën e saj me Ukrainën, ka thënë të shtunën kryeministri sllovak, Robert Fico.
Fico, udhëheqësi sllovak prej kohësh, i cili ka ruajtur marrëdhënie të mira me Rusinë dhe refuzon ndihmën ushtarake për Ukrainën, ka deklaruar këtë javë se Evropa ishte më pranë se kurrë një lufte të përmasave të mëdha që mund të shpërthente si pasojë e luftës në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, disa liderë evropianë, përfshirë ata në Francë dhe Poloni, kanë paralajmëruar për sulme hibride ruse.
Në mesazhin e tij me video, Fico ka thënë se “Po përballemi me një rrezik vdekjeprurës”, ndërsa ka akuzuar Perëndimin se “po i hedh benzinë zjarrit” përmes mbështetjes së tij për Ukrainën, e cila, sipas tij, nuk ka sjellë rezultate.
“Dështimi i strategjisë për ta shkatërruar Rusinë përmes luftës në Ukrainë ka bërë që disa politikanë perëndimorë të besojnë se, nëse qëllimi nuk mund të arrihet përmes ushtrisë ukrainase dhe mbështetjes së plotë për të, atëherë duhet bërë çdo përpjekje për të nxitur një konflikt mes NATO-s dhe Rusisë”, ka thënë Fico në videon e publikuar në rrjetet sociale.
Ai ka shtuar se lufta në Ukrainë nuk është luftë e Sllovakisë dhe as e NATO-s, por ka shtuar se: “Disa nxitës të luftës brenda NATO-s po përpiqen, me çdo kusht, ta shndërrojnë këtë luftë në një konflikt mes Rusisë dhe NATO-s”.
Në fillim të kësaj jave, Fico ka paralajmëruar se shkelja e hapësirës ajrore nga një dron mund të shkaktojë aktivizimin e klauzolës së mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe ka thënë se dëshironte të parandalonte që Sllovakia, e cila kufizohet me Ukrainën dhe është anëtare e aleancës ushtarake të NATO-s, të përfshihej në një konflikt të armatosur.
Ai ka thënë të shtunën se krijimi i një preteksti për të nisur një luftë ishte i lehtë dhe ka përsëritur se Sllovakia nuk do të dërgonte ushtarë për të luftuar mbi bazën e një preteksti të sajuar.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të premten se Rusia po intensifikonte fushatën e saj të sulmeve hibride kundër Evropës.
Ai ka përmendur si dëshmi të ndryshimit të natyrës së agresionit rus një përpjekje për sulm me dron në aeroportin e Leipzigut në gusht, për të cilën qeveria gjermane përfundoi se qëndronte Moska zyrtare.