Këta mësimdhënës të Shkollës së Gjelbër në Prishtinë kanë përfillur vendimin e Ministrisë së Arsimit për të dalë në punë të shtunën, por jo edhe prindërit.

Kjo pasi kanë vendosur që në ditën e parë kur do të duhej të niste zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës, mos t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë.

Prandaj, këta mësimdhënës nuk kanë se kujt t’i ligjërojnë.

Besart Ismajli nga Shkolla e Gjelbër tha se “Këshilli i Prindërve arsyetimin e kanë dhënë se kanë shumë aktivitete të shtuneve, lodhje të shtohet edhe një ditë prandaj kjo ka qenë kërkesa e tyre ndërsa mësimdhënësit i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Arsimit, pavarësisht që SBASHK-u ka kërkuar të kundërtën”.

Në ndërkohë, krejt tjetër atmosferë është në një shkollë tjetër të kryeqytetit.

Para shkollës “Dardania” janë krijuar disa rreshta të nxënësve që po presin të për të hyrë në mësim.

E, pritesë për ta sjellë vajzën në shkollë nuk kishte kjo nënë.

“Kjo është për të mirën e fëmijës, tash smundemi me thanë që munden me zëvëndësu orët e humbura por diçka arrinë kështu që sa rrinë nëpër telefona e gjana ma mirë në shkollë” ka thënë Ardita Musliu, nëna e nxënëses në shkollën Dardania.

Ndërsa situatë e përzier ka qenë në Obiliq.

Në shkollën “Ibrahim Rugova” ka pasur mësimdhënës të dy taboreve, atyre që kanë dalur për zëvendësim të orëve dhe atyre që nuk e kanë bërë këtë.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Shyhrete Gashi, ka thënë :“Ne si shkollë në ndrrimin e parë paradite i kemi pas 16 klasë, 4 e kanë mbajtur mësimin e rregullt ndërsa klasat e gjashta, shtata dhe të teta nuk e kanë mbajtuar mësimin pasi që nuk kanë ardhur arsimtarët”.

Gjatë gjithë ditës gjendjen në shkollat e vendit e kanë monitoruar edhe inspektorët e arsimit të cilët kanë evidentuar se kush ka mbajtur mësim e kush jo.

Në ndërkohë, RTV Dukagjini ka mësuar që SBASHK-u është dëshpëruar me mësimdhënësit që kanë dalë në punë, sipas sindikatës, janë të njëjtit që kanë votuar kundër zëvendësimit të orëve.

Për numrin e sakt të shkollave që kanë zëvendësuar orët dhe atyre që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, SBASHK-u ka bërë të ditur se do të njoftojë gjatë orëve të mbrëmjes.