Disa persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri në një ndërtesë në ndërtim në qendër të Brukselit të martën, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Shkaku i zjarrit në kullën Oxy Tower ende nuk dihet, ndërsa zyrtarët kanë njoftuar se të paktën gjashtë persona rezultojnë të zhdukur.
Edhe pse zjarri u shua shpejt nga ekipet e emergjencës, kur zjarrfikësit hynë në ndërtesë zbuluan se flakët ishin përhapur në boshtet e ashensorëve, ku dy ashensorë kishin mbetur të bllokuar, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Zjarrfikësit arritën të hapnin njërin prej tyre dhe aty gjetën “disa viktima”, por numri i saktë ende nuk është konfirmuar, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Punës në Bruksel, Brecht Speybrouck.
“Mund të jenë gjashtë personat e zhdukur, por mund të ketë edhe më shumë viktima në ashensorin tjetër ose diku tjetër në ndërtesë”, deklaroi ai.
Më vonë, Speybrouck bëri të ditur se ekipet po përgatiteshin për nxjerrjen e trupave nga ashensori. Nëse viktimat nuk rezultojnë të jenë personat e raportuar të zhdukur, ekipet do të duhet të kontrollojnë edhe ashensorin tjetër.
“Si pasojë e rrënojave, kushtet e punës janë shumë të vështira. Operacionet e nxjerrjes së trupave do të zgjasin edhe disa orë”, tha ai.
Kryetari i Brukselit, Philippe Close, falënderoi shërbimet emergjente, duke thënë se ato kishin bërë “një punë të jashtëzakonshme” në “rrethana veçanërisht të vështira”.
Sipas mediave belge, në vendngjarje gjatë pasdites kanë shkuar edhe kryeministri belg Bart De Wever dhe mbreti i Belgjikës, Philippe.
Mediat lokale raportuan se dy persona ishin dërguar në spital me djegie të rënda, ndërsa një zjarrfikës ishte trajtuar në vendngjarje pasi ishte ekspozuar ndaj temperaturave të larta.
Kulla Oxy është ende në ndërtim dhe në të ardhmen pritet të ketë apartamente, hotel, restorante dhe bare. Ajo ndodhet rreth 500 metra nga Grand Place, sheshi qendror barok i Brukselit.