Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti për politikë të gabuar, teksa ka deklaruar se fuqitë perëndimore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së janë pajtuar me kundërshtarët lindorë, duke vlerësuar kështu se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës.

Deklarata e tij vjen pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të thirrur nga Serbia lidhur me ndalimin e dinarit serb.

Ish-ministri i Jashtëm, Hoxhaj, në një postim në Facebook, ka thënë se fuqitë kryesore perëndimore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen në çështje ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën.

Sipas tij, një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka shkaktuar një pajtim të përgjithshëm për të thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurimit, e cila është kërkuar nga Serbia.

Ai ka theksuar se kjo gjë tregon se Republika e Kosovës ndodhet në një situatë të vështirë ndërkombëtare.

“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë,  Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se rëndësi në OKB ka fjala jonë nëse e mbështesin aleatët, gjersa ka shtuar se është mjerim që Qeveria e solli punën në këtë pikë.

“Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mbështesin aleatët. Dëgjojeni fjalimin e ambasadores së SHBA-ve dhe aleatëve tanë. Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë. Sa më pak që të flitet në KS të OKB për ne, aq më mirë”, ka shkruar ajo në Facebook.