Elza Ramandani nga Fondacioni i Kafshëve dhe gazetari Leutrim Sahiti, po ashtu, edhe këshilltari për Siguri në komunën e Prishtinës, Bajram Gecaj, kanë marrë pjesë në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ku kanë biseduar për vendimin e komunës së Prishtinës për ndarjen e 50 eurove për secilën familje që e adopton një qen endacak.

Ramadani ka thënë se ky vendim i komunës së Prishtinës nuk është ide e keqe.

“Atëherë fillimisht si ide nuk është ide e keqe, ndoshta nëse mendohet mirë 100 për qind edhe ka një plan të mirë monitorues mbrapa, edhe subvencionimi i adoptimit ka me qenë i monitoruar mirë prej komunës. Mundet me qenë një ndihmës i përkohshëm, emergjente për më motivuar njerëzit që ndoshta e kishin ble një qen edhe kishin shpenzuar para, e në anën tjerë mund t’i marrin disa qen nga rruga edhe pak a shumë me u mbështet nga komuna e Prishtinës që të mos lehen qentë rrugës”, ka thënë ajo.

Më tej, ajo ka parashikuar se kjo nuk do të funksionojë si masë, pasi kultura e adoptimit është shumë e vogël.

Ndërsa, ka folur edhe këshilltari për Siguri në komunën e Prishtinës, Bajram Gecaj, i cili ka thënë se komuna e ka për obligim që t’i zgjidhë problemet e qytetarëve të kryeqytetit.

“Kërkesa e përgjithshme e qytetarëve të Prishtinës është që të mos kenë problem me qentë endacakë, po kemi sulme nga qentë e rrugëve t’i heqim qentë nga rruga. Ne që një vit kemi punuar shumë me çështjen e qenve të rrugës, askush në Republikën e Kosovës nuk ka bërë me shumë, ne deri tani i kemi harxhuar dhe zotuar mbi një milion e 600 mijë euro. Ndërsa planifikojmë edhe investime në të ardhmen. Ide e këtij projekti ka qenë që ne t’i inkurajojmë qytetarët që të adoptojnë qentë”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka thënë se qytetarët nuk kanë nevojë të blejnë një qen, sepse komuna e Prishtinës do t’u dhurojë nga një qen të trajtuar mirë atyre që dëshirojnë të blejnë qen.

Gazetari Leutrim Sahiti, në cilësinë e sociologut ka thënë se ka qenë dhe vazhdon të jetë kritik sa i përket çështjes se si është prezantuar deri më tani.

“Ne nuk kemi pasur shumë informacione se si do të zbatohet ky vendim, edhe nga ajo që  kemi parë deri me tani që ka dalë në opinionin publik si sociolog i kam vërejtjet e mija. Por, së pari duhet ta vlerësoj jashtëzakonisht shumë iniciativën e komunës së Prishtinës për të bërë një zgjidhje për qentë endacak, se po shohim që rreziku nga ta është shumë i madh. Mirëpo mendoj që këtij vendimi është dashur që t’i paraprijë një analizë se cilat do të jenë masat që do të ndikojnë pozitivisht në reduktimin e qenve endacakë në rrugë”, ka përfunduar ai.