Pensionisti, elektroinxhinieri dhe njëherit kryetari i Organizatës për Përkujdesjen e të moshuarve dhe Pensionistëve, Sylejman Krasniqi, ka treguar se ndonëse i mungon ushtrimi i profesionit të tij, pensionimi është një fazë normale e jetës, e cila duhet pritur sikur diçka normale.

I ftuar në emisionin “Shpirti i vikendit” me Xheneta Asllani, në Radio Dukagjini, Krasniqi ka folur më gjerë rreth jetës që bën një pensionist në Kosovë. Megjithëse, sfida kryesore është ajo e mjeteve të pamjaftueshme buxhetore, Sylejmani ka thënë se mund të cilësohet sikurse një mesatare e mirë, por jo e mjaftueshme.

“Pensionet nuk janë në nivelin në të cilin kemi nevojë, mirëpo është një mesatare e mirë në krahasim me buxhetin e Kosovës, megjithatë pensionisti ka nevojë për më tepër. Ne duhet të paraqitemi çdo 6 muaj për të treguar që jemi gjallë, mirëpo jo të gjithë të moshuarit mund ta bëjnë këtë aktivitet”, ka deklaruar Sylejmani, gjersa thekson se do të ishte mirë nëse komunat dhe njëherit, Qeveria, të arrinte të gjente një zgjidhje tjetër për ta bërë verifikimin e atyre që jetojnë akoma.

Si pjesë e jetës, të dalët në pension nuk paraqet atë më të thjeshtën. Por sipas Krasniqit, pensionimi duhet të merret sikur një gjë e lehtë e për t’ju ndihmuar sadopak në këtë pjesë, ai përcjell disa këshilla.

“Për mua personalisht, vitet jane vetëm numra. Në pyetje është shendeti dhe jo vitet. Pensionimin e kam pritur sikur gjë normale. Për jetë nuk më ka penguar asgjë, e kam marrë si gjë normale sepse e kalon shumë më lehtë. Gjeni vetes aktivitete, dilni, ecni, shëtituni, aktiviteti më i mirë fizik është ecja, sa më shumë e bën i moshuari këtë aktivitet, është më mire”, ka këshilluar ai.

Pjesë e zakonshme e emisionit “Shpirti i vikendit” është të treguarit se si e nisim mëngjesin. Krasniqi ka treguar se mëngjesin e nis me një kafe, për ta përcjellë më vonë me ushqimin dhe të lexuarit, si pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së tij.

Mirëpo, ai nuk lë studion e Radio Dukagjini pa treguar edhe një rrëfim nga karriera e tij dyzetëvjeçare si puntor në minierë.

“Kujtim i paharruar është viti 1997. Mori një dimër i ftoftë, një acar i madh. Në minierë është puna shumë e vështirë, në atë acar kemi qënduar disa punëtorë për plot 36 orë pa shkuar në shtëpi. Atë kohë klasa e punëtorëve ka qenë shumë më e vetëdijshme sesa është sot, edhe udhëheqja ka qenë më në nivel për mirëmbajtjen e objekteve. Kur ka filluar shpërndarja e qymyrit në termocentrale, e kemi ndjerë një fitore të madhe, e harruam lodhjen”.