Ditë, natë, në shi e nga sot, edhe në temperatura të larta.

Punëtorët grevistë të ‘Pastrimit” po qëndrojnë të palëkundur në tendat e vendosura para Komunës së Prishtinës, në ditën e 14.

Përgjigje po presin nga bordi i cili mëngjesin e së mërkurës, u takua me kryetarin, Përparim Rama në përpjekje për të arritur një marrëveshje.

Por edhe takimi i sotëm, nuk solli asnjë zgjidhje.

“Si rezultat i rregullores dhe dërgimi i faturave në komunë, “Pastrimi” ka pasur telashe edhe me funksionin primar, grumbullimin e mbeturinave dhe vështirësi të realizojë pagat e punëtorve. Prezuantuam qëndrimin e grevistëve me të cilët ka përafrime të qëndrimeve por takimet do të vazhdojnë. Nuk është arritur ndonjë ujdi, do i trajtojmë kërkesat e komunës”, ka deklaruar Fatos Selimi – Kryesues i Bordit të KRM “Pastrimi”.

Kërkesat e “Pastrimit” tashmë dihen por për ato të komunës, kryesuesi i bordit bëri të ditur vetëm njërin.

“Kërkesat të rishiqohet puna e kryeshefit ekzekutiv nga bordi. Ka qenë kërkesë të rishqiojmë qëndrimin e tij apo shkarkimin nga detyra dhe pastaj, të vazhdohet me negociata në dobi të ndërmarrjes dhe në dobi të pastrimit të qytetit”, ka theksuar ai.

Në takim s’ishte e ftuar sindikata e cila, grevën s’ka për ta ndërprerë.

“Ne s’ishim brenda si sindikatë, ishin bordi. Sa na thanë, kanë bërë njl ofertë por ne do diskutojmë duke shpresuar se po bëjnë zgjidhje për neve. Kërkesat i kemi të njëjta. Greva s’përfundon se zgjidhje s’po shohim”, ka deklaruar Adrian Krasniqi, nga sindikata e punëtorve grevist.

Televizioni ka pranuar të marrë një qëndrim nga vet kryeshefi, Petrit Reçica mirëpo i njëjti, tash e disa javë, mbetet i paqasshëm.

Deklarim nuk ka dhënë as Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci me arsyetimin se ka angazhime gjatë ditës.