Dita e Çlirimit të Junikut, Shehu: Lavdi e përjetshme heronjve tanë
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka përkujtuar me krenari Ditën e Çlirimit të qytetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke vlerësuar lart sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë. Në mesazhin e tij, Shehu thekson se kjo ditë është simbol i sakrificës, […]
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka përkujtuar me krenari Ditën e Çlirimit të qytetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke vlerësuar lart sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë atyre që dhanë gjithçka për lirinë.
Në mesazhin e tij, Shehu thekson se kjo ditë është simbol i sakrificës, guximit dhe përkushtimit të brezave që nuk u ndalën përballë padrejtësisë.
Ai ka nderuar veprën e përjetshme të dëshmorëve, martirëve, si dhe të invalidëve dhe veteranëve të luftës, të cilët, sipas tij, bartin ende barrën e kujtesës dhe krenarisë kombëtare.

“Me nderim e përulësi kujtojmë veprën e përjetshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve, dëshmorëve dhe martirëve tanë që dhanë gjithçka për lirinë”, ka shkruar ai.
Shehu gjithashtu ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të NATO-s, të cilat, siç tha ai, qëndruan përkrah Kosovës në momentet më vendimtare për fatin e saj.
“Le ta shënojmë këtë ditë me reflektim e përgjegjësi, për ta nderuar të kaluarën dhe për të punuar për një të ardhme më të mirë për Junikun dhe Kosovën”, përfundon mesazhin e tij kryetari Shehu.
Në përfundim, ai ka uruar që Zoti ta bekojë Junikun dhe Kosovën, duke shprehur lavdi të përjetshme për dëshmorët e kombit.















