Për të gjashtën natë me radhë, mijëra protestues janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale i cili dënoi me 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me pankartat “Jo në emrin tim”, “Liria ka emër” e flamuj kombëtar dhe të UÇK-së e gjithashtu edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mijëra protestues po kërkojnë drejtësi për katërshen e UÇK-së.
Një prej organizatorëve, Çlirim Haziri gjatë kësaj proteste përmendi nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar, me anë të së cilës po synohet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe gjithashtu monitorimi ndërkombëtar i punës së saj. Për këtë Haziri ka thënë se kjo çështje nuk është vetëm e një partie por e të gjithëve.
Këtë nismë e ka mbështetur Aleanca, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi PDK-ja e kontestoi kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe si çështje do ta trajtoj juridikisht me kujdes.
Protesta po vazhdon në sheshin e Prishtinës, ndërsa qytetarët kanë bërë thirrje për vazhdimin e qëndresës dhe mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së.
