Në Ditën e të Zhdukurve me dhunë gjatë luftës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga nëna Ferdonije Çerkezi i cili në luftën e fundit humbi bashkëshortin dhe djemtë e saj kanë nderime pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtarë që t’i bëjë trysni Beogradit për zbardhjen e të zhdukurve të tjerë.
Kryeministri, Kurti tha se shteti serb edhe për 11 varreza masive nuk po jep informacione.
“Bëjmë nderime për gjithë të zhdukurit me ç’rast edhe 1565 i kemi ende të pagjetur, komisioni qeveritare për Personat e zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit tonë bëjnë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e më të dashurve tanë, të cilët u rrëmbyen të gjallë e të vdekur nga forcat armike të Serbisë së Millosheviqit. Duhet të kujtojmë që i fundit që u varros djali i vogël 9 vjeçar. Sinan Daut nga Prekaz…Ne i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar dhe të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë meqenëse ata e mbajnë përgjegjësinë dhe ata e dinë të vërtetën. Janë edhe 11 varreza masive përveç atyre 5 që tashmë janë zbuluar e për të cilët Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar nga vetë ata publikisht se janë 16 masive gjithsej e vetëm në njërën prej tyre që është zbuluar në Batajnicë i kemi 744 të pagjetur të zhvarrosur atje, ndërkaq gjithsej deri më tani janë rreh 1 mijë shqiptarë që janë zbuluar në varrezat masive në Serbi”, deklaroi ai.
Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti deklaroi se Kosova nuk ka juridiksion mbi Serbinë.
Sipas tij sistemi i drejtësisë duhet të punoj më shumë dhe më shpejt që kriminelët e luftës të dalin përpara drejtësisë.
“Atje ku është përgjegjësia atje është edhe e vërteta mirëpo ne nuk kemi juridiksion mbi Serbinë, faktori ndërkombëtarë evropian dhe amerikan duhet t’i bëjnë më shumë trusni Serbisë ashtu që të zbardhet e vërtet dhe përgjegjësit të dalin para gjyqit. Edhe në Kosovë tash e kemi mundësinë për vite me radhë që të dënohen pasi të gjykohen në mungesë kriminelët e shumtë të luftës qofshin urdhër dhënës apo ekzekutor dhe për këtë prokuroria speciale e ka përkrahjen e plotë të qeverisë së Republikës gjithashtu dhe sistemi në përgjithësi. Janë duke punuar më shumë e më shpejt se përpara por unë besoj që duhet të punojnë edhe më shumë edhe shpejt seç po bëhet meqenëse dëshmitarët po plaken shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekjen dhe sjellja përpara drejtësisë e kriminelëve serb të luftës”, deklaroi ai. /KP