Dita ndërkombëtare e të pagjeturve, Kurti dhe Osmani bëjnë homazhe te përmendorja e të zhdukurve

30 gushti shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, por zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur

Ilustrim

Të martën e 30 gushtit shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur në mbarë botën.

Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë, pasi lufta e fundit në vend bëri që shumë persona të mbesin të zhdukur.

Më shumë se 1 mijë e 600 persona figurojnë si të pagjetur.

Për ta përkujtuar këtë ditë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i vendit Albin Kurti, mëngjesin e së martës do të bëjnë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur.

Po ashtu, Kurti do të marrë pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6 mijë 500 persona.

Që nga ajo kohë janë kryer disa gërmime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Shteti i Serbisë i ka ndërprerë gërmimet për mbetjet mortore të personave të zhdukur në lokacionin e Shtavalit afër Sijenicës në territorin e Serbisë.

Për këtë arsye, të mërkurën ka reaguar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës, të cilët kanë thënë se autoritetet serbe nuk i kanë ndarë të gjitha informacionet që i ka kërkuar delegacioni i Kosovës.

Sipas këtij komisioni, mosbashkëpunimi apo mosdhënia e informacioneve shtesë të kërkuara nga Komisioni i Kosovës, dëshmon mosgatishmërinë e shtetit të Serbisë për të ndriçuar fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Mosdhënia e informacioneve shtesë të kërkuara nga Komisioni i Republikës së Kosovës, përveç që tregon mosbashkëpunim të institucioneve të Serbisë, dëshmon edhe mosgatishmërinë dhe mungesën e angazhimit serioz e të sinqertë të palës serbe për të ndriçuar fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së viteve 1998 – 99 në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur të Republikës së Kosovë.

Gërmimet në Shtaval kishin filluar më 10 maj dhe nuk kanë rezultuar me gjetjen e vendvarrezës masive që është kërkuar.

Komisioni i Kosovës për të pagjeturit ka kërkuar bashkëpunim më të thellë me ndërkombëtarët për sigurimin e imazheve plotësuese satelitore për një, “periudhë më të gjerë kohore për lokacionin në fjalë, si një mundësi për të shënjuar më saktësisht lokacionin e varrezës masive, bazuar edhe në përvojat e mëparshme në dy lokacionet e varrezave masive në territorin e Serbisë, si në rastin e Rudnicës dhe rastin e Kizhevakut”.

Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve të vrarë gjatë luftës.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika