Artisti që pushtoi vendin tonë edhe vendet evropiane, padyshim që ka qenë Dj Dandara. Ai me energjinë dhe entusiazmin që posedon në çdo paraqitje të tij, ka bërë për vete një audiencë të gjerë.

Dardan Bytyçi, i njohur me emrin skenik si “DJ Dandara”, është bashkëpunëtor i Radio Dukagjini me ç’rast, çdo të shtunë nga ora 19:00 keni mundësi ta dëgjoni setin e tij muzikor.

Ai së fundmi ka publikuar krijimtarinë e tij të parë muzikore të quajtur ‘La Trompeta’. I ftuar në emisionin “Drive on D” me Donika Hyseni dhe Mirdon Pacolli, artisti tha që ka punuar gjatë për këtë projekt, të cilin mezi ka pritur ta ndajë me audiencën.

“Ky është një track tech house, me elemente afro dhe trompetën si instrument e pëlqej shumë, me jep ndjesi pozitive prandaj patjetër që është pjesë e krijimtarisë time të parë. Me të vërtet shpresoj që publiku ka për ta pëlqyer dhe do e ndjejnë energjinë për të vallëzuar dhe për ta dëgjuar”, është shprehur Dandara.

‘La Trompeta’ është dedikim për nënën e tij tashmë të ndjerë, e cila e inspiroi deri në momentin e fundit për të punuar me zemër dhe për ta ndjekur pasionin e tij që është muzika.

“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë emocionale dhe psiqike, por i kam premtuar që nuk do të ndalem, andaj këtë sukses ja dedikoj nënës time”, shtoi tutje DJ Dandara.

Projektin e tij muzikor, mund ta gjeni në çdo platformë muzikore. Poashtu, Dandara është bashkëpunor i këngëtares Era Istrefi, ku në çdo performancë të saj, është aty për t’i argëtuar të gjithë me muzikën e tij.