Djali i dëshmorit të kombit, Xhavit Haziri, ka bërë thirrje që qytetarët të mblidhen të martën mbrëma në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të pritur aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, i cili pritet të shpallet të mërkurën, më 16 shtator.
Përmes një postimi në Facebook, Çlirim Haziri ka njoftuar se natën do ta kalojë në shesh, duke thënë se si djali i Xhavit Hazirit, “pritjen” e njeh mirë, pasi është rritur me të.
“Prandaj, dua që sonte natën ta kaloj në shesh, në pritje të verdiktit të 16 shtatorit, në qetësi dhe besimplote, me shpresën se kjo është ndër pritjet tona të fundit si popull”, ka shkruar ai.
Ai ka ftuar qytetarët që këtë natë të mos e kalojnë të ndarë, por të mblidhen së bashku në shesh, në pritje të vendimit të Gjykatës Speciale.
“Do të doja që këtë natë të mos e kalojmë secili veçmas, por bashkë si qytetarë, si vëllezër e motra që na bashkon lufta e drejtë e UÇK-së. Të rrimë bashkë sonte dhe ta zbardhim mëngjesin në shesh, në pritje të lirisë për çlirimtarët tanë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, vendimi i 16 shtatorit nuk lidhet vetëm me fatin e të akuzuarve në Hagë, por edhe me atë që ai e konsideron historinë e UÇK-së dhe të Kosovës.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët t’i bashkohen pritjes në shesh, duke propozuar që të marrin me vete batanije, kitarë apo çaj të ngrohtë.
“Ndonjëri me një batanije, tjetri me një kitarë, një tjetër me një çaj të nxehtë, por të gjithë me zemër dhe me shpresë për drejtësi. Sonte, mjafton të jemi aty. Të presim bashkë”, ka shkruar ai.