Djali i Gucatit: Presim që drejtësia të vendoset në vend, gjykata të mos veprojë në baza politike por juridike

Djali i Hysniut, Muslim Gucati, është shprehur optimist se drejtësia do të vendoset në vend. Ai pre që Gjykata të vendosë në baza juridike dhe jo në baza politike. Po ashtu, ai ka treguar për gjendjen shëndetësore të Hysniut, për të cilën thotë se është stabile

Pak minuta para se Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë do të shqiptojë aktgjykimin për apelin sa i përket rastit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë shpallur fajtorë në shkallën e parë, ka folur djali i Hysniut, Muslim Gucati.

Në një prononcim për emisionin “Magazina”, në Radio Dukagjini, Gucati ka thënë se po presin që të vendoset drejtësia në vend.

Ai është shprehur optimist se do të ndërmerret një vendim pozitiv.

“Realisht jemi në pritje të vendimit dhe të gjithë ata që e kanë ndjekur procesin e kanë vënë re dua të ndalem pak edhe te gjykata si ka vepruar që fatkeqësisht ka vepruar në një mënyrë që ne mendojmë se ndoshta është e padrejtë dhe nuk po flas vetëm për vendimin që pritet sot të merret i cili ende nuk është marrë por pavarësisht vendimit jam duke thënë për mënyrën se si ka operuar dhe për hapësirën që i ka lënë mbrojtjes dhe hapësirës që i ka lënë prokurorisë në mënyrën e të gjykuarit. Sot presim që të vendoset drejtësia në vend dhe të korrigjohet ai gabim që është marrë më 18 maj të vitit të kaluar dhe sot të vendoset drejtësia mirëpo mbetet për t’u parë sot”, ka thënë ai.

Derisa pyetet se çfarë presin për këtë vendim dhe se a ka kontaktuar me mbrojtësit se cilat janë gjasat që mund të ketë lirim nga akuzat, Gucati ka theksuar se janë besimplotë që të gjitha akuzat do të hedhen poshtë.

Ai shpreson që gjykata të mos veprojë në baza politike, por të veprojë në bazat juridike.

“Ne jemi besimplotë dhe jemi për një vendim pozitiv që do të shpëtonte babanë tonë dhe Nasimin nga të gjitha akuzat dhe nga të gjitha implikimet e tjera mirëpo prapë mbetet për t’u parë, çka i frikësohemi është se gjykata të mos veprojë në baza politike por në baza juridike dhe të marrë një vendim të drejtë”.

Në anën tjetër, ai ka treguar edhe për takimet me babanë e tij Nasimin, dhe për gjendjen e tij shëndetësore.

“Po para disa ditëve kam qenë atje i kam takuar, me shëndet janë mirë të gjithë, pavarësisht se babai ka pasur disa implikime shëndetësore, tani e ka marrë veten, edhe me moral qëndrojnë të fortë dhe janë me bindje të plotë se sot do të hedhen poshtë të gjitha akuzat”.

Megjithatë, ai ka treguar se ka pasur raste në të cilat nuk janë lejuar ta vizitojnë Hysniun.

“Në disa raste po, në disa raste jo. Kur ka qenë i sëmurë herën e parë dhe iu ka nënshkruar operacionit nuk na kanë lejuar edhe në rastin e dytë vetëm pasi ka qenë në rrezik përjetë kur iu ka përkeqësua gjendja shëndetësore shumë atëherë na kanë lejuar të shkojmë në spital vetëm 2 persona që t shohim vetëm 2 orë”.

Kjo me arsyetimin se në spital nuk lejohen vizitat.

“Gjoja se në spital nuk lejohen vizitat, duhet të kenë kujdes për shëndetin e tij, por nuk e di se çfarë është më e rëndësishme ose më humane që bashkëshortja ose fëmijët të mos lejohen ta shohin babanë e tyre”.

Megjithatë ai ka njoftuar se për momentin Hysniu është në gjendje stabile.

Është me terapi që i merr atje, sa i përket stafin të paraburgimit kanë qenë korrekt, edhe nga stafi i mjekëve kanë qenë korrekt nuk i ka munguar kujdesi nga ana e tyre, po vazhdon me terapi. Janë disa nga familjarë që kanë shkuar sot atje”, përfundoi ai.

Më 18 maj 2022, Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.

Që të dy janë në paraburgim në Hagë që nga shtatori i vitit 2020 dhe koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënim.

Haradinaj dhe Gucati u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata dyshohej se po atë vit, përmes disa konferencave për media, në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kishin shpërndarë për gazetarët dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj kishin zbuluar informacion të mbrojtur, duke synuar që të zbulonin qindra dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika