Djegia e veturave me targa të konvertuara – “po përdoret si presion nga strukturat kriminale serbe”

Strukturat kriminale serbe sipas njohësve të sigurisë po ushtrojnë presion direkt te qytetarët serbë të Kosovës. Kjo për shkak të konvertimit të targave nga ato ilegale në ato RKS

Ilustrim





Hiç më larg se në mesnatën e 26 tetorit, një automjet i tipit Volswagen Bora është djegur në Leposaviq. Pos dëmeve materiale, nuk ka të lënduar në njerëz.

Ngjarja thuhet se është ndërlidhur me regjistrimin e automjetit në targa RKS, dhe se i njëjti automjet është djegur me qëllim nga autorë të panjohur.

Por, ky nuk është rasti i vetëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 19 shtator kishte njoftuar se një oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale. Të njëjtat i kanë djegur veturën, pasi oficeri në fjalë e kishte regjistruar me targa legale të Republikës së Kosovës.

Këto sulme, sipas njohësve të sigurisë, po konsiderohen si presione direkte nga të gjitha strukturat në Veri.

Sipas tyre, Serbia ka për qëllim destabilizimin e vendit në pjesën veriore.

Një numër i qytetarëve kanë konvertuar targat e automjeteve nga targat ilegale në të rregullta RKS.

Por, disa prej tyre të cilët e kanë shfrytëzuar këtë afat, po përballen me sulme nga strukturat ilegale dhe kriminale në Veri të Kosovës.

Sipas ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, qytetarët serbë të Kosovës të cilët do t’i respektojnë ligjet e Kosovës do të përballen vazhdimisht me sulme të tilla.

Ai, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se ky presion që po bën shteti serb për moskonvertimin e tabelave nga ilegale në ato RKS është i madh dhe direkt.

“Ky është presion direkt nga të gjitha strukturat që janë në veri, nga politika në Veri, sidomos nga Lista Serbe, e po ashtu edhe nga shteti serb në krye me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe tërë aparatin shtetëror që ka në Serbi. Strukturat serbe kanë një qëllim të qartë, që të destabilizojnë edhe më tutje vendin në komunat veriore. Dhe mendoj se çfarëdo që të bëjnë qytetarët në respektimin e ligjeve të Kosovës do t’u nënshtrohen presioneve dhe akteve të tilla nga kriminelët në Veri”, ka thënë Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj

Sipas tij, duke marrë parasysh incidentet në të kaluarën, duhet të shtohet numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Veri.

“Kemi pasur edhe incidente në të kaluarën, Policia e Kosovës duhet ta shtojë prezencën, duhet ta shtojë numrin e informatave dhe të ndërmarrë të gjitha masat në konform të ligjit për arrestimin e atyre që i bëjnë këto veprime”, shtoi ai.

Se sulmet e stukturave ilegale serbe janë presione të vazhdueshme ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, e ka thënë edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se përmes këtij presioni, Serbia po tenton ta mbajë peng Kosovën në çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin e çështjet e sigurisë në vend.

“Është një presion i vazhdueshëm, por strukturat ilegale të Serbisë kanë për qëllim që ta mbajnë Kosovën si peng në çështjet që kanë të bëjnë edhe me sovranitetin, edhe me pjesën territoriale, edhe me çështjet e tjera që kanë të bëjnë me aspektin e sigurisë jetësore për Kosovën”, ka thënë ai.

Sipas tij, për t’i realizuar qëllimet e tyre që Kosovën ta mbajnë të varur nga ndikimi i shtetit serb, Ibishi ka theksuar se strukturat ilegale që janë instrument i Vuçiqit dhe Listës Serbe, do të vazhdojnë me presionet e tilla.

“Edhe tash, edhe në të kaluarën, bëjnë presion në qytetarët e komunitetit serb në Kosovë. Jo vetëm presion, por edhe vrasje e kërcënime e deri te zgjedhja e sendeve të tjera, me qëllim që me këtë presion të realizohet qëllimi i tyre që Kosovën ta mbajnë të varur nga ndikimi i shtetit serb”, ka thënë Ibishi, teksa ka shtuar se “qytetarët serbë të Kosovës po rrezikojnë jetën, sigurinë e pronën e tyre nga ekstremistët serbë”.

Nuredin Ibishi

Pak ditë para përfundimit të afatit për targat ilegale, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i është kërkuar që të shtyhet vendimi për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj.

Edhe Bashkimi Evropian ka insistuar kërkesën që Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj.

Por, deri më tani, Qeveria e Kosovës, ka thënë se që nga një nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka folur për çështjen e targave, ka thënë se veprimet e strukturave kriminale serbe të cilët po dëmtojnë materialisht qytetarët serbë të Kosovës që po i konvertojnë targat nga ato ilegale në ato RKS, dëshmojnë kërcënimet e vazhdueshme të tyre.

Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, presidentja Osmani ka theksuar se lufta që Kosova po përballet është ajo kundër bandave.

Lidhur me këtë, Osmani ka kërkuar përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë të cilët po e respektojnë ligjin dhe po i konvertojnë targat në ato që njihen me ligj dhe po i largojnë ato të kohës së Millosheviqit, si rezultat i kësaj po u djegin shtëpitë po i djegin makinat, rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Gjithë këto veprime të strukturave ilegale dhe kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së dëshmojnë që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, ka thënë Osmani.

“Lufta jonë është luftë kundër bandave, në luftën tonë kundër bandave, në luftën për sundim të ligjit presim që të kemi përkrahjen e vazhdueshme të aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA”, shtoi ajo.

Sipas saj, Kosova është rikonfirmuar si shteti me reformat më të mëdha në gjithë Evropën në fushën e sundimit të ligjit dhe reformuesi i dytë në botë, gjë për të cilën Osmani ka thënë se kjo dëshmon që veprimet e Qeverisë së Kosovës kanë qenë të drejta.

Ndërkohë, lidhur me targat, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka caktuar takim me përfaqësuesit e Listës Serbe, më 27 tetor.

Ky takim është thirrur pasi Lista Serbe ka kërkuar urgjentisht të takohet me presidentin serb për shkak të çështjes së riregjistrimit të targave në Kosovë.

Sipas kësaj partie, më 1 nëntor Kosova po planifikon “të konfiskojë pronat e qytetarëve tanë dhe makinat me targa serbe”.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar bllokim të rrugëve në veri të Kosovës, nëse merret ndonjë veprim me konfiskimin e veturave me targa serbe.

Presidenti serb në takim me përfaqësuesit e Listës Serbe

“Nëse Prishtina përdor dhunë, ne do të bllokojmë të gjitha rrugët”, ka thënë Rakiq.

Edhe pse targat serbe në Kosovë konsiderohen si të paligjshme, deri më tani janë toleruar në Veri të Kosovës.

Më 31 korrik dhe një gusht, serbët lokalë në Veri të Kosovës kishin vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, për zbatimin e vendimit.

Pos vendimit për targat, kërkohej edhe zbatimi për dokumentet serbe.

Me kërkesë të ndërkombëtarëve, vendimi për zbatimin e tyre ishte shtyrë për një shtator.

Ndërkohë, ishte arritur marrëveshja për dokumentet hyrëse-dalëse.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika