Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se 1.6 për qind e vendvotimeve në vend janë hapur me vonesë të dielën, pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte bërë të ditur se procesi i votimit ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e votimit nga ora 07:00.
Në një konferencë për media, drejtuesi i DnV-së, Ismet Kryeziu, tha se vonesat janë shkaktuar kryesisht nga mungesa e komisionerëve dhe, në disa raste, nga mungesa e kabinave të votimit.
“Sipas të dhënave nga terreni, me vonesë janë hapur 1.6% e vendvotimeve dhe kjo për shkak të mungesës së komisionerëve. Në disa raste vonesat lidhen me mungesën e kabinave të votimit. Në 2% të vendvotimeve ka pasur probleme në funksionalizimin e kamerave ose mënyrën si janë vendosur, gjë që mund të cenojë fshehtësinë e votës. Në 16% të vendvotimeve nuk ka asnjë grua komisionere”, deklaroi ai.
Kryeziu prezantoi edhe gjetje të tjera nga monitorimi i procesit zgjedhor gjatë orës së parë të votimit, duke theksuar se vëzhguesit e DnV-së po vazhdojnë të përcjellin mbarëvajtjen e procesit në të gjithë vendin.
“Për shumë persona me aftësi të kufizuar fizike ushtrimi i të drejtës së votës vazhdon të shoqërohet me pengesa. Rreth 19% në qendra të votimit ende nuk e ushtrojnë infrastrukturën e nevojshme. Në ambientet jashtë qendrave të votimit janë hasur materiale të subjekteve, promovuese, megjithëse rregullat zgjedhore e ndalojnë vendosjen e tyre brenda perimetrit 100 metra. Kjo është vërejtur në afërsi të rreth 2% të qendrave të votimit”, tregoi ai.
E, në 10% të vendvotimeve është raportuar se nuk ka zyrtarë policorë siç e parasheh ligji, ka thënë tutje Kryeziu.
“19% të qendrave të votimit nuk kanë kabina ndihmëse që si problematikë është e shprehur në rajonin e Ferizajt, Kaçanikut, Prizrenit, Podujevës, Prishtinës dhe Pejës”.