“Do ta shpërthejmë murin”, grafitet që po provokojnë qytetarët shqiptarë në veri

Grafite të shumta me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, të shkruara te cepi verior i urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë provokojnë qytetarët shqiptarë

Grafite të shumta me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, të shkruara te cepi verior i urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë, provokojnë tej mase qytetarët shqiptarë, sidomos ata të cilët frekuentojnë për çdo ditë këtë urë.

“Ratko Mlladiq hero i popullit”, “Do ta shpërthejmë murin”, “Kosova është zemra e Serbisë”, të shkruara në alfabetin cirilik të serbishtes, janë vetëm disa nga mbishkrimet, për të cilat qytetarët shqiptarë thonë se duhet të shlyhen sa më parë nga institucionet, sepse janë provokuese për ata, shqetësuese dhe nxisin urrejtje.

Asllan Zogu, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress se institucionet komunale, në të cilat tashmë janë shqiptarët në atë pjesë, por edhe ato qendrore, duhet t’i shlyejnë sa më parë këto grafite, sepse janë provokuese.

“Mu në atë vend ku janë ato grafite antishqiptare, aty ka qenë xhamia të cilën e kanë rrënuar. Qeveria jonë duhet me ndërmarrë diçka tash, pasi po funksionon pjesa veriore me shqiptarë. Merreni me mend, Ratko Mlladiqin e quajnë hero të popullit… Ato grafite janë provokative dhe institucionet tona kishte qenë mirë me i fshi”, ka thënë Zogu.

Edhe Burhan Nuhi, një mitrovicas tjetër nga veriu i këtij qyteti, grafitet e tilla i ka quajtur antishqiptare, shqetësuese dhe provokim të hapur.

“Grafitet janë antishqiptare dhe shqetësuese… I bëj thirrje institucioneve që këto grafite me i eliminu dhe me i fshi. Me marrë masa sa më shpejt, ky është provokim”, theksoi Nuhi.

Ndërkaq, Bardhyl Dobroshi, drejtor i organizatës joqeveritare “Futja ngjyrë” në Mitrovicë, organizatë kjo e cila shquhet për murale të bukura me mesazhe për paqen, bëri të ditur se ato grafite meqë janë të shkruara në mermer, është më mirë të pastrohen dhe të shlyhen me ujë.

Sipas tij, nganjëherë me ngjyrë vetëm sa prishen gjërat.

“Ajo pjesa në fjalë ku ka më shumë shkrime antishqiptare thjesht të cilat nuk ishte dashur të jenë aty, janë të shkruara në mermer… Mermeri është më i shtrenjtë sesa spreji dhe ngjyrat me të cilat e kishim bërë. Tani nuk na duket e arsyeshme me ia futë ngjyrë në një vend ku thjesht më shumë kishim bërë dëm, sesa që kishim bërë mirë… Aty mundet me ujë me presion me u largu ato mbishkrime dhe ajo pjesë me u kthy qysh ka qenë.

Problemin e njëjtë ne e kemi pasur në jug të Mitrovicës, te objekti i ATK-së. Në këtë objekt ka pasur shumë shkrime dhe parulla dhe në vend se t’i fshijnë ato parulla, e kanë ngjyrosur me polikollor. Dhe në fund u fshi mermeri, një objekt që ka qenë shumë i bukur, tani duket një objekt bazik me tulla dhe vetëm sa e ka prishur ngjyra. Nganjëherë me ngjyrë veç i prishim gjërat”, u shpreh për KosovaPress Dobroshi.

Në anën tjetër, Veton Elshani, ushtrues i detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, tha se policia ka hapur shumë raste për mbishkrime të tilla në mbarë veriun e vendit.

Ai shtoi se deri tani nuk është arrestuar askush për këto grafite tek ura e Ibrit.

“Kemi mbishkrime me përmbajtje të cilat nxisin urrejtje ose që ne kemi hapur raste për to për përçarje, nxitje të urrejtjes, nëpër tërë veriun e vendit. Po, ka grafite aty, me siguri kemi hapur raste për to, sepse kemi shumë raste të hapura për raste dhe ngjarje të tilla, dhe nuk kemi persona të arrestuar, përveç sa di unë një rasti tash para dy ditësh që kemi arrestuar një person për shkruarje të këtyre grafiteve me nxitje të urrejtjes. Mirëpo, çështja jonë nuk është me u marrë me shlyerje ose largimin e tyre prej vendit ku janë shkruar”, sqaroi Elshani.

KosovaPress-i ka provuar për dy ditë me radhë të kontaktojë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, rreth kësaj problematike, mirëpo ai nuk ka qenë në komunë.

Ndryshe, këto grafite në këtë vend janë shfaqur para më shumë se një viti, ndërsa mbishkrime të ngjashme vërehen edhe nëpër lokacione të ndryshme në mbarë veriun, të cilat supozohet se janë shkruar pas tensioneve të shtuara në mes të Kosovës dhe Serbisë./KP

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika