Do të plotësohet ekspertiza, rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për shpëlarje parash

Është rihapur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për shpëlarje parash, Milovan Gajiq për shkak se duhet të bëhet plotësimi i ekspertizës

Për shkak se duhet të bëhet plotësimi i ekspertizës, është rihapur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për shpëlarje parash, Milovan Gajiq.

Këtë vendim e ka marrë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Musa Konxheli, me arsyetimin që duhet të bëhet plotësimi i ekspertizës financiare me provat e siguruara më vonë në këtë shqyrtim gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka konstatuar se është e nevojshme edhe një provë shtesë dhe atë të bëhet plotësimi i ekspertizës të bërë nga eksperti financiar, meqenëse kur është bërë ekspertiza financiare nuk kanë qenë të gjitha provat të cilat janë siguruar më vonë”, tha gjykatësi Konxheli.

Gjykatësi Konxheli tha se për seancën e radhës palët do të ftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe, i akuzuari Gajiq, më 2 nëntor 2020, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjashtë muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 18 dhjetor 2020, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim për shkak se sipas Apelit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me rastin e negocimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, nuk e kishte respektuar nenin 76 të Kodit Penal, duke mos propozuar dënime për secilën vepër penale, por vetëm dënim unik.

Por, edhe në rigjykim, i akuzuari Gajiq më 27 maj 2022 ishte dënuar më 6 muaj burgim për shpëlarje parash dhe 17 mijë e 800 euro gjobë.

Por, Gjykata e Apelit këtë çështje, më 31 tetor 2022, e kishte kthyer sërish në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore në kuptimin që dispozitivi i aktgjykimit nuk i përmban rrethanat e fakteve që shpërfaqin konsumin e elementeve të figurës së veprës penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 23 tetor 2020 nga PSRK-ja, Milovan Gajiq akuzohet për veprën penale “Shpëlarja e parave”, në kundërshtim me nenin 302 të KPRK-së, lidhur me nenin 32 dhe nenin 56, par.1 lidhur me nënpar.1.5 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Gajiq më 14 gusht 2020, në pikën kufitare “Merdar” është hasur duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, ashtu që në ditën kritike gjatë një kontrolli të kryer nga Dogana e Kosovës, në veturën e tij, në pjesën prapa veturës, ku gjendet zmadhuesi i radios është vërejtur se në atë pjesë gjenden mjete monetare të fshehura, në vlerë prej 65 mijë e 450 euro, të padeklaruara nga i akuzuari, të cilat mjete më pastaj janë sekuestruar.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gajiq duke i pasur në posedim mjetet monetare, ka tentuar që të fshehë ose maskojë natyrën e vërtetë, burimin, vendndodhjen, sistemimin, lëvizjen, të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, apo në çfarëdo rrethanash me qëllim që të shkaktojë shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika