Sindikata e RTK-së e zhgënjyer me Kuvendin që nuk arriti të zgjidh statusin e RTK-sëSindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse Kuvendi i Kosovës nuk e trajton me urgjencë çështjen e buxhetit për transmetuesin publik.

Në një reagim për media, Sindikata shprehu zhgënjimin që statusi i RTK-së ende nuk është zgjidhur, duke theksuar se miratimi i një ligji të ri për të rregulluar çështjet e pronës dhe financimit të pavarur të transmetuesit publik është i domosdoshëm.

“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së shpreh zhgënjimin e saj të thellë ndaj të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, të cilat deri më tani nuk kanë arritur ta zgjidhin statusin e RTK-së. Miratimi i një ligji të ri që do të rregullonte çështjet e pronës dhe financimit të pavarur të transmetuesit publik është mëse i domosdoshëm për funksionimin e tij”, thuhet në komunikatën e kësaj sindikate.

Sindikatat gjithashtu janë të indinjuara nga premtimet për rritje pagash që bëhen gjatë periudhave të fushatave zgjedhore, ndërkohë që punëtorët e RTK-së nuk kanë pasur rritje page që nga viti 2006.

Ata theksuan se RTK-ja po operon me një buxhet 2.2 milionë euro më të ulët, duke dëshmuar një neglizhencë të madhe ndaj të drejtave të punonjësve të saj.

Për këto arsye, Sindikata ka paralajmëruar se nëse Kuvendi nuk ndërmerr veprime për zgjidhjen e çështjes, do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Mungesa e mbështetjes nga themeluesi, është një dëm i madh për të ardhmen e transmetuesit publik. Sindikata informon publikisht Kuvendin e Kosovës dhe partitë politike se, nëse çështja e buxhetit të RTK-së nuk trajtohet me urgjencë, do të jemi të detyruar ta adresojmë këtë problem në Gjykatën Kushtetuese”, përfundon reagimi i sindikatës.

Ata apeluan te partitë politike të kthejnë vëmendjen ndaj RTK-së, që ndodhet në një gjendje të rënduar financiare dhe infrastrukturore.