Në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha kryesore e Krishtlindjeve, e udhëhequr nga ipeshkivi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Me këtë rast, ai dha mesazhe për mirësinë, afërsinë dhe solidaritetin, duke thënë se Krishtlindjet janë mundësi për të qenë mirënjohës dhe për ta përforcuar vetëdijen tonë.

Duke përmendur rëndësinë e Krishtlindjeve, ipeshkvi Dodë Gjergji tha se kjo është festë për të qenë falënderues ndaj krijuesit, për të cilin tha se na bën më të fortë.

“Festa e Krishtlindjes është momenti më i bukur dhe mundësia më e mirë për të falënderuar Hyun, për t’i dhënë lavdi krijuesit, pasi në këtë natë të shenjtë me mishërimin e fjalës është plotësuar premtimi shpëtimtues për të gjithë njerëzit.

Na u është dhuruar princi i paqes i cili na mbush me dashuri e na bën të fuqishëm e të fortë. Me këtë kremtim solemn të kësaj nate përtërijmë kujtesën mbi veprën e Zotit, përforcojmë vetëdijen tonë dhe këndojmë jo vetëm me hare këngë engjëjve, por edhe i përsërisim psalmet, e pastaj shpallim shpëtimin që vije nëpërmjet Krishtit, duke i dhënë lavdi që e meriton dhe duke e çmuar veprën e tij. Është vërtetë gjë e bukur dhe nuk duhet askush të ketë frikë që të ulet e ta përqafojë këtë foshnje të pafajshme”, tha ai.

Ipeshkvi Dodë Gjergji bëri lutje edhe për personat në nevojë, teksa bëri thirrje për më shumë paqe në botë, për të cilën tha po shkatërron fatin e shumë njerëzve.

“Dëshiroj me gjithë zemër t’i lutem zotit për të gjithë njerëzit që kanë nevojë, për të sëmurët, për ata të cilët u mungon kujdesi, dashuria, sidomos lutem për paqe në botë sepse paqja në shumë vende është duke shkatërruar fatin e shumë njerëzve, jetën e shumë të pafajshmëve dhe në që kemi përjetuar këtë të keqe të angazhohemi që të ruajmë paqen pas nesh”, tha ai.

Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë dashuri mes njëri-tjetrit dhe për promovim të tolerancës ndërfetare, për të cilën tha se është pasuri për shoqërinë tonë.

“Të mos pushojmë kurrë duke kërkuar të vërtetën dhe që ajo të na gjejë ne, të promovojmë dashurinë me njëri-tjetrin dhe tolerancën ndërfetare si pasuri e paçmueshme në mesin tonë, por duke e ngritur në dimension tjetër. Nëpërmjet paqes, lirisë e dashurisë çdo njëri të zbulojë bukurinë e shpirtit dhe atë t’ia paraqetë krijuesit dhe nëse gjen guximin të afrohet për t’u pagëzuar”, shtoi ai.

Me rastin e Krishtlindjeve, mesazhe urimi kanë dërguar përfaqësues fetarë e politikë në Kosovë. /KSP