Dodik bën thirrje për “Dejton 2.0”, mes debatit për ndalimin e financimit të partive në RS
Në Banja Llukë sot (21 maj) u mbajt një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Kombëtar të Republikës Srpska (RS), ku u diskutua për një projektligj që synon ndalimin e financimit të partive politike nga buxheti i këtij entiteti dhe nga fondet komunale. Kjo iniciativë vjen pas vendimit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje e […]
Në Banja Llukë sot (21 maj) u mbajt një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Kombëtar të Republikës Srpska (RS), ku u diskutua për një projektligj që synon ndalimin e financimit të partive politike nga buxheti i këtij entiteti dhe nga fondet komunale.
Kjo iniciativë vjen pas vendimit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, i cili më 24 prill ndaloi financimin publik për dy parti politike – Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) të Millorad Dodikut dhe Partinë e Bashkuar Serbe të Nenad Stevandiqit.
Schmidt e justifikoi vendimin si përgjigje ndaj veprimeve që, sipas tij, minojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe rendin kushtetues të Bosnjës. Në këtë kontekst, presidenti i RS-së, Millorad Dodik, në fjalimin e tij para deputetëve me rastin e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit, kërkoi rifillimin e dialogut ndërmjet dy entiteteve të Bosnjës për të arritur një version të ri të marrëveshjes – të cilin ai e quajti “Dejton 2.0”.
Sipas Dodikut, kjo nismë nuk përfaqëson shkëputje apo përshkallëzim, por një kthim tek parimet origjinale të marrëveshjes që solli paqe në vend.
Dodik, i cili është i sanksionuar ndërkombëtarisht për shkelje të Marrëveshjes së Dejtonit dhe refuzon legjitimitetin e Schmidtit si përfaqësues i lartë, tha se kriza aktuale juridike dhe kushtetuese mund të zgjidhet vetëm nëse anulohen vendimet e tij.
Ndërkohë, projektligji për financimin e partive ka ngjallur kritika të forta. Transparency International paralajmëron se ai mund të hapë rrugë për korrupsion, pasi parashikon që kompanitë private mund të dhurojnë deri në 50.000 euro për partitë – një praktikë që bie ndesh me ligjin shtetëror. Për më tepër, ligji nuk ndalon donacionet nga kompani që bashkëpunojnë me shtetin, gjë që mundëson transferimin indirekt të fondeve publike drejt partive.
Sipas të dhënave financiare, vetëm në vitin e kaluar SNSD-ja ka përfituar mbi dy milionë marka nga buxhetet publike, ndërsa Partia e Bashkuar Serbe mbi 395 mijë marka. Pas vendimit të Schmidtit, këto fonde janë urdhëruar të kalojnë në Bankën Qendrore të Bosnjë e Hercegovinës dhe të raportohen te Zyra e Përfaqësuesit të Lartë.















