Dodiku refuzon të deklarohet para gjykatës së Bosnjës

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik nuk ka pranuar të deklarohet para gjykatës së Bosnjës e Hercegovinës për aktakuzën e cila e ngarkon me veprën penale për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në BeH, Christian Schmidt

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe ushtruesi i detyrës i drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, nuk kanë pranuar të deklarohen para gjykatës së Bosnjës e Hercegovinës për aktakuzën e cila i ngarkon me veprën penale për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

“Nuk e di pse është ngritur aktakuza ndaj meje, nuk e kuptoj aktakuzën”, tha Dodik në seancën e mbajtur të hënën më 16 tetor, shkruan REL.

Dodik nuk pranoi as të ngrihej në këmbë kur iu kërkua një gjë e tillë nga gjykatësja për t’i ofruar të dhënat personale dhe për t’u deklaruar për aktakuzën që i ngarkohet, duke u ankuar në “dhimbje shpine”.

Gjyqtarja Jasmine Dedoviq Qosiq, sipas detyrës zyrtare, vendosi se Dodik dhe Lukiq u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën.

Pas seancës, Dodiku u tha mediave se Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës e Hercegovinës janë “jokushtetuese, të paligjshme dhe të imponuara”, duke e cilësuar si “politik” procesin gjyqësor ndaj tij.

Ai tha se ligjet që ai nënshkroi, të cilat nxitën ngritjen e aktakuzës kundër tij dhe Lukiqit, kaluan “nëpër të gjitha procedurat kushtetuese” në Kuvendin Kombëtar të Republikës Sërpska.

Dodiku theksoi se do ta mbrojë veten si “president i Republikës Sërpska” dhe se “në këtë mënyrë do të shpërbëhet Bosnja e Hercegovina”.

Ai, po ashtu, u ankua se aktakuza nuk i ishte dorëzuar në cirilik, një gjuhë që ai e kupton.

Në gusht, Prokuroria e Bosnjës e Hercegovinës ngriti aktakuzë kundër Dodikut Lukiqit, për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt. Aktakuza ndaj tyre u ndryshua dhe u konfirmua pastaj më 11 shtator.

Në qershor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje në lidhje me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Përfaqësuesi i Lartë, Schmidt më pas vendosi t’i shfuqizojë ato.

Dodik nënshkroi dekretin për hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve dhe Lukiq i publikoi ato në Gazetën Zyrtare të Republikën Sërpska.

Kur e shfuqizoi ligjin e Republikës Sërpska, Schmidti vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, sipas të cilit, mosrespektimi i vendimeve të përfaqësuesit të Lartë është vepër penale.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika