Dodiku takohet me Putinin në Tatarstan

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik - i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe - u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 21 shkurt

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik – i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe – u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 21 shkurt në qytetin Kazan në Republikën e Tatarstanit, e cila është pjesë e Rusisë, njoftoi Kremlini.

Dodiku i tha Putinit përmes një përkthyesi se Republika Sërpska nuk pranon t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pavarësisht, siç thotë ai, trysnisë së përditshme, dhe se nuk dëshiron të anëtarësohet në aleancën e NATO-s.

“Ne i konfirmojmë marrëdhëniet e mira që Republika Sërpska i ka dhe i kultivon me shtetin rus dhe me ju. Ajo që po bëjmë ne në rrethanat e tanishme është se ne refuzojmë çdo mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë,” tha Dodik.

Ai theksoi se marrëdhëniet në Bosnjë e Hercegovinë janë të komplikuara nga, siç tha ai, “fakti që ne jemi ende nën protektoratin e Perëndimit”, dhe ai i përsëriti pretendimet e tij të mëparshme – për të cilat ai e ka mbështetjen e Rusisë – se përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, nuk u emërua në këtë detyrë me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ai foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet e tij të mira me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, duke thënë se kjo “e bën situatën më të lehtë” për Republikën Sërpska.

Putin vlerësoi se vizita e Dodikut do të jetë “e dobishme” dhe se ai i është mirënjohës për mbajtjen e kontakteve të rregullta dhe se marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Republikës Sërpska janë konstruktive.

“Përfaqësuesit e udhëheqjes së Republikës Sërpska na vizitojnë rregullisht dhe bashkëpunojnë me ne në fusha të ndryshme. Jam i sigurt se kjo vizitë e juaja do të jetë gjithashtu e dobishme dhe se ne do të mund të shfrytëzojmë kohën për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe në shumë fusha të ndryshme”, tha Putin.

Në fillim të takimit, Putin tha se “Rusia e di se situata nuk është e thjeshtë”.

Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre vendosën një sërë sanksionesh kundër Rusisë./REL

Shija e redaktorit

Dafina dhe Ylli vazhdojnë t’i “trazojnë ujërat”, pozojnë me...

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, sot ka kapur vëmendjen e të gjithëve me postimin e saj të fundit në rrjetin social "Instagram". "Duar të bashkuara"...

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Të fundit nga rubrika